Partizani i Starovës çalon në sulm

0

Raçiç jashtë forme, Plaku ende nuk ka shpërthyer, ndërsa Morini s’po gjen ende hapësirë në formacion. Sukaj më efikasi, por vijon të qëndrojë në stol

Andi TANKU

Dy ndeshjet e para në kampionat kanë treguar qartë mangësitë e Partizanit në këtë fillim sezoni. Edhe pse është ende shpejt për të dalë në konkluzione përfundimtare dhe ekipi ende nuk ka fituar harmoninë e kërkuar, ajo që u vu re në takimet kundër Laçit në javën e parë të kampionatit dhe ndaj Flamurtarit në të dytën ishte mungesa e efikasitetit në repartin e avancuar. Tre gola në dy ndeshje nuk janë pak, por as shumë, sidomos duke marrë parasysh mënyrën se si janë shënuar. Dy realizimet e Xhevahir Sukajt kanë ardhur pikërisht prej goditjeve standarde, duke i dhënë 4 pikët Partizanit, ndërsa vetëm Lorenc Trashi ndaj Flamurtarit shënoi me aksion pas asisit të Tafilit. Një nga elementët më deçizivë në sezonin e shkuar, Stevan Raçiç ende nuk po gjen vetveten. Sulmuesi serb nuk ka shënuar akoma golin e parë në Superligë me kryeqytetasit. Por ajo që shqetëson është fakti se ende nuk është lidhur me ekipin dhe në disa raste duket se është një afrim i ri i merkatos në këtë verë, sesa një futbollist që luajti vitin e kaluar me Partizanin. Harmonizimi i tij me Nderim Nexhipin sezonin e shkuar ishte një nga “armët” kryesore të të kuqve, pasi kombinimet mes dy lojtarëve rezultuan efikase në disa takime, sidomos në përballjet derbi kundër Tiranës. Stevan Raçiç, edhe në takimin e fundit që Partizani luajti kundër Flamurtarit u zëvendësua nga trajneri Starova, duke mos lënë asnjë gjurmë në fushën e lojës për ato minuta që u aktivizua.

PLAKU– I afruar me shumë bujë, Sebino Plaku duket se po vuan presionin e etiketimit si afrimi “big” i Partizanit në këtë merkato vere. Sulmuesi kryeqytetas ende nuk ka realizuar golin e parë me të kuqtë, ndërsa edhe ai, në sfidën kundër Flamurtarit pati fatin e Raçiç duke u zëvendësuar në mesin e pjesës së dytë të takimit. Edhe pse është e kuptueshme që lojtari po kërkon kohën e ambientimit me ekipin e ri, forma që ka shfaqur në dy përballjet e para të kampionatit kanë rezultat aspak bindëse për Sebino Plakun.

MORINI– I ardhur nga përtej Adriatikut, Emanuele Morini ka hyrë si zëvendësues në dy ndeshjet e para të këtij sezoni të ri të Superligës për Partizanin. 32-vjeçari është hedhur si forcë e freskët nga ana e trajnerit Sulejman Starova, por sërish pa mundur të shënojë. I lëvizshëm në zona të ngushta dhe gjithnjë i gatshëm për të marrë përgjegjësi në repartin e avancuar, Morini është parë shpesh herë të kërkojë të lërë gjurmët e tij në sfidat ndaj Laçit dhe Flamurtarit. Një gjë të tillë e arriti në përballjen e fundit ndaj vlonjatëve. Sulmuesi italian arriti të vidhte me zgjuarsi një 11-metërsh, i cili u kthye në gol nga ana e Sukjat.

SUKAJ– Më rezultativi në sulmin e Partizanit. Dy gola në po kaq ndeshje, falë të cilave, të kuqtë gëzojnë 4 pikët në tabelën e klasifikimit. Shkodrani ende nuk ka shijuar prezencën nga fillimi i ndeshjes me kryeqytetasit, ndërsa pritet që një gjë e tillë të ndodhë në takimin e javës së tretë të Superligës, ku Partizani do të luajë ndaj Vllaznisë. Dy golat e Sukjat duket se kanë bindur trajnerin Starova se forma e tij do t’i shërbejë skuadrës më shumë duke e programuar si titullar, ndërsa debutimi i tij nga minuta e parë me të kuqtë do të jetë një emocion më vete. Sulmuesi që u transferua në këtë vere te Partizani është një element që ka dalë nga skuadra e të rinjve të Vllaznisë dhe pas dy javësh do të luajë në stadiumin e qytetit të tij, këtë herë si kundërshtar.

3 GOLA

Ka shënuar Partizani në dy ndeshjet e para të kampionatit, dy prej të cilëve mbajnë firmën e Xhevahir Sukajt, ndërsa një të Lorenc Trashit.

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.