Nuk mashtrohen vetëm shqiptarët, ja një histori e çmendur

0

Gusht, viti 2013: kur presidenti i Dinamos së Zagrebit, Zdravko Mamiç, zbuloi që Alieu Darbo, një gjoja futbollist afrikan nga Gambia, e kish mashtruar duke krijuar një tratativë që kishte përfunduar në nënshkrim kontrate, nuk u besoi veshëve. “Shes cdo verë lojtarë nga 20-25 milionë euro, jam mbreti i merkatos së Ballkanit. Si mund të më mashtrojë ky njeri?!”. Mamiç i dha 40 mijë euro afrikanit vetëm që të mos fliste dhe kontrata u anulua pak muaj pas firmës. Imazhi i Dinamos do ulej rëndë, nëse Perëndimi do mësonte se ky klub i madh e kishte blerë lojtarin pas referencave të falsifikuara.

Faqja zyrtare e Dinamos së Zagrebit prezantonte Darbonë, i cili deklaronte se ishte mik i ngushtë me Zhervinjon e Bregut të Fildishtë

Alie Darbo nuk është fare futbollist, ose të paktën jo një i talentuar. Ai është një manipulues profesionist. Manipulon gjithçka, linqet në internet, skeda, të dhëna personale, referenca nga lojtarë, trajnerë e drejtues klubesh. Ka nënshkruar dhjetra kontrata me klube futbolli, ose të paktën ashtu pretendon. Në Suedi për pak firmosi te Landskrona (por e përzunë pas vetëm një seance stërvitore), më pas nuk dihet nga doli lajmi sikur kishte firmosur për 3 vite me Uiganin, pas testimeve të shkëlqyera te Sandërlendi e Njukaslli. Ka arritur madje të luajë edhe me ekipet e moshave të Gambias!

Në korrik 2014 Landskrona në Suedi e zyrtarizoi dhe televizioni i klubit e intervistoi, por më pas klubi zbuloi mashtrimin

Ka “luajtur” në Suedi, Francë, Norvegji, Egjipt, Algjeri e Maltë, por më qesharakja është se në vitin 2014 e prezantoi Krotone si superblerje, duke i dhënë numrin 10 dhe duke shkruar në faqen e vet zyrtare: “Darbo, goditje e madhe e Krotones, në bashkëpunim me Bajernin e Mynihut”. Më pas nuk luante gjëkundi, sepse “vinte nga një dëmtim serioz në klubin e mëparshëm”.

Viti 2014: Darbo prezantohej me numrin 10 te Krotone!

Ditët i kalon përpara kompjuterit duke përgatitur prenë e radhës, ndërsa mbrëmjet nëpër klubet e natës së famshme të kontinentit, aty ku qëndron paria e futbollit. I bën miq dhe i bind që të nënshkruajnë një letër për të. Ngjan si një argëtim, por në fund u bë zë i rrezikshëm. Pas paktit në heshtje me Dinamo Zagreb, ai u shfaq edhe në Selanik dhe takoi Vrizas, ish-lojtar i madh grek, që tanimë punon si drejtor sportiv. Në duar kishte një letër nga drejtuesi sportiv i Dortmundit. “Nuk ka nevojë për provë, mund të firmosni menjëherë. Është një talent, që nuk i ka ecur gjithë këto vite”. Për pak funksionoi sërish. Fatkeqësisht për afrikanin, Vrizaz dhe drejtori i Dortmundit ishin miq. Mjaftoi një telefonatë për ta zbuluar. Homologu gjerman nuk e njihte fare. Një hulumtim “lart e poshtë” dhe historia mori fund, mashtruesi u zbulua, por më parë kishte bërë lëmsh dhe kishte dehur shumë klube. Internet dhe letra të firmosura.

Edhe britanikja Daily Mail binte në grackë në vitin 2012: Uigani fitonte garën për supertalentin Darbo!

Ndokujt në botën e zhvilluar kjo histori mund t’i ketë bërë përshtypje, por nëse u hedh një sy presidentëve shqiptarë, kur e dëgjojnë një histori të tillë e kuptojnë se afrikanë të tjerë, dhe jo vetëm, kanë pasur si viktima drejtuesit e klubeve në Shqipëri ndër vite. Ish-presidenti i Partizanit, Albert Xhani, ankohej sistematikisht se porosiste portierë dhe i vinin shitës mandarinash, madje me një dorë më të shkurtër se tjetra, ndërsa legjendat thonë që një herë të Tirana para 13 viteve erdhi vëllai binjak i sulmuesit bolivian që do bënte namin me gola dhe nuk shënoi asnjë gol. Historitë vazhdojnë dhe sot. Një farë Troisiu shfaq në 2015 në Kukës, solli 2-3 brazilianë, u bë madje dhe trajner pa qenë i tillë. Në janar punonte për 5 klube, sillte emra të parëndësishëm dhe i shiste si kampionë të mëdhenj, talente të së ardhmes ose të pafat të së shkuarës firmoste kontratë për 10 mijë euro në muaj, dhe më pas Romariot që vinin jo vetëm që nuk dinin të kërcenin samba, por madje ishin mbi peshë aq sa presidentët futeshin në internet dhe shihnin fotot: sikur nuk ishte ky. Kukësi, Skënderbeu, Partizani, Tirana e Laçi ishin viktimat e Troisit. Nuk mashtrojnë dhe nuk u mashtrokan vetëm shqiptarët.

Përgatiti: Gjergji Stefa

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.