Muça: Derbi anormal, pa tifozë është e shëmtuar

0

Olsi Avdiaj

Një derbi i shëmtuar, nëse nuk janë tifozët në njërin krah. Shkëlqim Muça, një ish-bardheblu mendon se Partizani është favorit për të fituar takimin e së premtes, por derbi nuk do të sjellë spektakël dhe pritet të jetë “i shëmtuar” me vetëm një tifozëri në stadium. Muça pranon se Tirana-Partizani është e paravendosur nga problemet jashtë fushe të bardhebluve. Në një intervistë për “Sport Ekspres”, ish-trajneri dhe drejtuesi i bardhebluve analizon sfidën, të cilën këtë herë e konsideron jashtë normales.

-Derbi si e shihni këtë sfidë. Është një moment i vështirë për bardheblutë dhe delikat për të kuqtë?

-Do të kisha dëshirë që derbi të zhvillohej në një situatë tjetër. Diferenca me pikë është shumë e madhe. Gjendja me pikë është e tillë, që Partizani lufton për titullin, ndërsa Tirana është aty në fund dhe është në kufijtë e saj të mbijetesës. Në këto kushte duhet të luhet, por mbetet një sfidë tej normales.

-Një situatë e pazakontë. Do të ndikojë tek bardheblutë gjendja që kanë?

-E thashë nuk është një situatë normale. Tirana nuk është mirë, si në pozitën e saj si skuadër nga ana sportive, por edhe në pozitën dhe treguesit e tjerë, si klubin, tifozët. Do të uroja që ky derb të ishte i bukur, edhe pse derbi mbetet ndeshje e madhe kur ka gjithë komponentët, dekorin nga të dyja palët. Kur ka vetëm një pjesë, kjo ndeshje del e shëmtuar. Nëse Tirana nuk ka tifozërinë dhe duhet ta themi se takimi për ata luhet, derbi është i cenuar, që pa nisur takimi.

-Ama Partizani duhet të fitojë të gjitha ndeshjet?

-Të kuqtë kanë një garë ku duhet të fitojnë të gjitha ndeshjet që kanë deri në fund të kampionatit. Është në një situatë ku i ka detyrim fitoret. Në këto momente, Partizani është më i motivuar se Tirana si skuadër. Si gjendje është më mirë. Tifozërinë e ka afër dhe në këto kushte është favoriti në këtë sfidë.

-Ju këtë ndeshje e keni luajtur. Keni qenë trajner dhe drejtues tek Tirana, tani tek Partizani. Cilat janë pikat më të dobëta dhe të forta të çdo skuadre dhe cili mund ta zgjidhë këtë sfidë?

-Futbolli është i bukur se ka gjithmonë të papritura. Është forcë grupi, por ka brenda edhe cilësinë individuale që mund të vendosin një ndeshje. Partizani është i avantazhuar, sepse ka motiv për ta fituar këtë takim. Tiranës i mungon gjithçka, si motivimi, renditja lufta për titull, tifozët, forma sportive. Është një derbi që nuk mund të jetë i bukur për t’u parë.

-E çuditshme është, por të dyja skuadrat janë nën presion. Tirana, sepse ka tre vite që nuk fiton një derbi dhe Partizani që duhet ta fitojë me doemos këtë derbi?

-Partizani ka gjashtë ndeshje për të fituar. Presioni është i jashtëzakonshëm. Tirana luan për një qëllim tjetër. Nuk është kaq në presion sa Partizani. Shkurt, ndeshja e fundit derbi nuk ishte nga ato spektakolaret.

-Tirana rrezikon rënien nga kategoria, pasi është tre pikë nga vendi që të çon në Kategorinë e Parë? 

-Nuk e shoh mundësinë që Tirana të bjerë nga Kategoria. Edhe nëse humbet në derbi ka mundësi që të qëndrojë në Kategorinë Superiore. Tirana “noton” në ato ujëra të turbullta aty poshtë. Nuk ngjitet dot lart. Nuk arrin dot Europën.

-Sa vendosin Josa dhe Starova në këtë derbi?

-Shumë pak, në ndeshje të tilla vendosin trajnerët. E kam provuar edhe vetë. Të dy janë me eksperiencë, por në fund lojtarët e vendosin se çfarë ndodh. Luajnë ata në fushë dhe çdo gjë anulohet edhe pse trajnerët mund të lëvizin gurët e tyre. Janë me eksperiencë dhe kjo e zbukuron këtë ndeshje.

-Partizani luan me Tiranën dhe më pas Kukësin.

-Partizani duhet të fitojë një ndeshje me Tiranën dhe më pas të mendojë për ndeshjen e ardhshme. Është ndeshje direkte. Partizani-Kukësi, Skënderbeu-Partizani dhe Kukësi-Skënderbeu do të vendosin titullin këtë sezon.

-Një parashikim për derbin?

-Nuk kam bërë kurrë dhe nuk do ta bëj as këtë herë, por më afër fitores është Partizani.

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.