Milani bën gati listën, në verë largohen shumë lojtarë

0

Sezoni nuk ka mbaruar ende, por te Milani duket se i kanë idetë të qartë për të ardhmen. E përditshmja Tuttosport shkruan sot se drejtuesit e rinj kuqezinj, në bashkëpunim me trajnerin Montela, kanë hartuar listën e lojtarëve që sezonin e ardhshëm do të nxirren në shitje dhe ata që nuk do të preken.

Donaruma është pikë fikse në portë, por pas tij Storari dhe i riu Plicari mund të bëjnë gati valixhet, i pari për përfundim të karrierës dhe i dyti për të fituar eksperiencë gjetkë.

Në mbrojtje po vonon rinovimi i De Shilios dhe Juventusi është gati të përfitojë. Gustavo Gomez ka oferta nga Spanja dhe mund të shitet, duke qenë se është zgjedhje e katërt, ndërkohë që edhe Paleta nuk do të rinovojë, me kontratën që i përfundon në vitin 2018, ndaj çdo ofertë do të merret në konsideratë. Edhe Antoneli është drejt largimit, pasi Montela preferon më shumë argjentinasin Vanxhoni.

Në mesfushë mund të ketë revolucion, sepse Poli, Bertolaçi e Mati Fernandez nuk kanë dhënë asnjë kontribut këtë sezon. Edhe Hoze Soza ishte një investim i gabuar, ndërsa Manuel Lokateli nuk po gjen vazhdimësi dhe ndoshta një huazim e ndihmon.

Në sulm është e qartë se do të tentohet sërish shitja e kolumbianit Karlos Baka, ndërsa Lapadula është ende i paqartë për të ardhmen, sepse tifozeria e do, ndërsa Montela nuk i garanton dot minuta.

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.