Maradona rrëfehet: Droga, Kamorra dhe tradhtari Ikardi

0

Diego Armando Maradona ka lëshuar ditën e djeshme një intervistë të gjatë në Canale 5 në Itali, për të famshmin Mauricio Kostanco, ku ka rrëfyer jetën e vet, por ka prekur edhe shumë tema aktualiteti.

Së pari, historia e drogës, që Diego nuk e mohon: “E nisa kur isha 24 vjeç, te Barcelona. Megjithatë, nuk drogohem prej 13 vitesh dhe jam me fat që jam këtu; nëse vazhdoja, do të isha i vdekur.

Marrëdhëniet me personazhe të njohur të Kamorrës në Napoli: “Unë dilja darkave dhe takoja shumë njerëz, me të cilët bëja edhe fotografi. Unë nuk u kërkoja pasaportën për të bërë fotografi me ta, ku ta dija unë që ishin kamorristë. Nuk u kam kërkuar kurrë ndonjë gjë, por më kanë garantuar që dy vajzave të mia nuk do t’u ndodhte asgjë. Po flitej për një largim timin nga Napoli dhe shkruhej se më kishin kërcënuar familjen, por fola me Karmine Xhulianon pas Kupës së Amerikës ’87 dhe më garantoi se nuk ishte e vërtetë dhe se vajzave të mia nuk do t’u ndodhte asgjë”.

Ish-Pibe de Oro ka ende probleme me tatimet në Itali: “Diçka e shëmtuar, sepse unë nuk merresha me kontratat, e bënin agjenti im dhe presidenti i Napolit Ferlaino, pse duhet të shkoja unë në burg? Ferlainon nuk e ngacmon kush, po ashtu ish-agjentin tim, ndërsa unë kur vij në Itali më konfiskojnë gjithçka, nuk është e drejtë dhe po bisedoj me shtetin italian për të zgjidhur këtë çështje”.

Natyrisht, Maradona nuk mund të lërë mënjanë temën Mauro Ikardi, i cili është një armik me Diegon, mbi të gjitha për faktin se i ka vjedhur gruan Uanda Nara ish-mikut të tij Maksi Lopez: “Ikardi është një tradhtar, nuk i falet ajo që i bëri Maksi Lopezit dhe për këtë herët a vonë do ta paguajë në jetë. Në fushë shënon, por jo gjithmonë. A është si Batistuta? Mos u tallni, Batigoli është 10 herë më i mirë”.

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.