Luftëtari rrezikohet, do fitoren me çdo kusht

0

Gëzim Beqiri

Nuk ka preferuar të zhvillojë dje ndeshje kontrolli trajneri Luftëtarit, Mlladen Milinkoviç, duke iu kthyer praktikës së mëparshme. Në disa raste e ka zhvilluar atë, duke improvizuar dy skuadra brenda grupit, pa bërë ndarje preferenciale se kush do të jetë titullar në ndeshjen pasardhëse. Shpesh, në fund të çdo dite stërvitore, për disa minuta i ka vendosur futbollistët të luajnë midis tyre, ndërsa dje është mjaftuar me ushtrime fizike dhe përvetësimin e skemave taktike. Ka munguar sërish shkodrani Behar Ramadani, i dëmtuar ndaj Laçit, ndërkohë që do të mungojë këtë javë edhe Zguro i skualifikuar. Fillimisht, është menduar që stërvitja të zhvillohej në fushën e stadiumit, si ditën e diel, por kushtet e motit me shi mund të dëmtonin tapetin për takimin me Vllazninë. Luftëtari stërvitet në një terren me bar artificial dhe i duhet të ambientohet më shumë në kushtet e zhvillimit të lojës ditën e ndeshjes. Pas barazimit me Laçin, gjirokastritët janë disi të rrezikuar, sepse diferenca me ekipet e vendeve të fundit është 8 pikë, kur janë në lojë edhe 39 pikë të tjera. Kjo tregon se asgjë nuk është e siguruar për qëndrimin në Superligë. Fitorja ndaj Vllaznisë shtrohet si detyrim për Luftëtarin, për të qenë më i sigurt në realizimin e objektivit, me të cilin e nisi sezonin, qëndrimin në Superligë. Pavarësisht se aktualisht mban vendin e 4-t dhe ndodhet në zonën europiane, asnjëherë nuk është deklaruar se synohet pjesëmarrja në të.

VLLAZNIA – Ndaj Laçit ekipi nuk zhvilloi atë lojë, që ka manifestuar javët e mëparshme dhe mund të këtë qenë rastësi, por ndaj Vllaznisë kërkohet me çdo kusht fitorja. Në fazën e para Luftëtari ka barazuar me Vllazninë në Peqin dhe ka fituar në Shkodër, me rezultatin 2-3. Vllaznia ka ndryshuar shumë në lojën e saj dhe nuk duhet menduar se fitorja të shtunën do të jetë e lehtë. Heshtja e shtypit, që u është komunikuar të gjithë aktorëve futbollistikë, sipas drejtuesve të ekipit, ka të bëjë me qënien sa më të qetë përpara takimit me Vllazninë. Dje është komunikuar se hyrja në stadium do të jetë e lirë, në mënyrë që ekipi të mbështet sa më fuqishëm nga sportdashësit në funksion të rezultatit. Qysh në nisje të kampionatit drejtuesit e Luftëtarit  kanë deklaruar se këtë sezon mjafton qëndrimi në Superligë. Kampionati aktual është konsideruar “trampolinë” për vitin e ardhshëm futbollistik, për të synuar Kupat e Europës. Në vazhdim futbolli gjirokastrit do të jetë në kërkim të vendeve të para në klasifikim. Për këtë qëllim së shpejti fillon funksionimi i Akademisë së Futbollit, duke ngritur 5 ekipe moshash me logon e Luftëtarit. Dhe dje janë dhënë njoftimet për regjistrimin e fëmijëve, të cilët duan të marrin pjesë dhe të përgatiten në këtë akademi.

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.