Speciale: De Brujne, biondi me futbollin… e thjeshtë

Personazhi i derbit. Udhëtari i botës, jo prej futbollit, por origjinës. Genk apo Gent, një gërmë ndryshoi fatin e jetës së tij. Jeta në konvikt, shkolla, por sidomos “djaloshi që bën pazarin e nënës”, siç do ta quante një gazetar holandez. Murinjo e flaku nga Londra, Siti e riktheu!

0

Përgatiti: ANTON CICANI

“Keep it simple”… “Merre lehtë”… Nuk është kënga e Bojken Lakos, kantautorit të famshëm shqiptar që bëri revolucion sa i përket muzikës shqiptare dhe ritimeve të ndërthurura të rock-ut por me një sfond revolte dhe “rap” të ngadaltë… Eshtë emri i librit autobiografik të Kevin De Brujne, i publikuar në tetor të vitit 2014. Tre fjalë që përmbledhin një koncept të filozofisë së Johan Krujfit (I paharruar qoftë kujtimi i tij: “Futbolli është i thjeshtë, por gjëja më e vështirë është të luash thjeshtë”. Koncept i vështirë për t’u vënë në praktikë sidomos kur xhepi nis të mbushet dhe nuk ke kohë as të kalosh nga bankomati, sepse ke aq shumë para në llogari saqë ndoshta paratë i duken vetëm numra tashmë… Dhe, llogaria bankare e belgut rritet me 6 579 euro në orë, ashtu si gazetari belg Frank Van Laeken do të zbulonte në librin e publikuar prej tij “Het geld van het voetbal – Paratë në futboll”. Por, nëse ekziston një futbollist që fluturon gjithmonë ulët në krahasim me minierët e arit tek e cila është futur, ai quhet Kevin De Brujne.

Nuk zotëron estetikën teknike të bashkëkombësit Eden Hazard (“magjistari”, siç e thërrasin në Angli), apo bukurinë e të prekurit të topit dhe elegancën e James Rodriguez, pa harruar “glamour” e Memfis Depaj. De Brujne duket një djalosh që sapo ka shkuar të bëjë pazarin për të ëmën, do të shkruante një gazetar holandez kur e pa të dilte, me çantë shpine dhe xhinse nga “Volkswagen Arena” e Volfsburgut më 30 janar 2015 pasi shkatërroi Bajern Mynihun e Guardiolës me 2 gola dhe 1 asist… Pikërisht ai Pep Guardiola që tani po e shijon, por kjo është një histori e sotme. Na pëlqen të fokusohemi te e shkuara për të kuptuar të tashmen, ndryshe do të ishte e vështirë të analizoje personazhin në fjalë, që sot në drekë, në derbin e miliardave, e psikologjisë dhe prestigjit të “udhëheqësve” të pankinave, publikut të nxehtë, por edhe audiencës mbarëbotërore, goditi dy shtylla, por më së shumti tregoi se paratë e investuara nga Siti një vit më parë nuk kanë shkuar dëm, përkundrazi. Të kthehemi te ai, fytyrëkuqi, nëse ne shqiptarët mund t’i vëmë një nofkë.

Të ndalemi te viti super, vetrina e vërtetë për të: 16 gola dhe 28 asiste në Bundesliga, kurorëzimi me Kupën e Gjermanisë dhe futbollisti i vitit. Jo vetëm, por la një xhiro mbrapa Arjen Roben si lojtari i huaj më i mirë sipas sondazhit të bërë. E ndërsa përpar transferimit të Pogbasë te Junajtidi ishte lojtari i dytë më i kushtueshëm në Premier League, tashmë u bë i treti.

de
Kur shkatërroi Bajern Mynihun me Volfsburgun në Bundesligë

Por, nëse mendoni se djaloshi përpara ndeshjeve, në dhomën e tij të gjumit, projekton se çfarë do të bëjë të nesërmen, driblimet, apo gjithçka tjetër, gaboheni rëndë. Futbolli i Kevin De Brujne është i përmbledhur në një deklaratë të disa kohëve më parë: “Jam gjithmonë në kërkim të pasimit perfekt. Jo i atij prej dy metrash që të bën ta mbyllësh ndeshjen me 90% të pasimeve të sakta, por ai që të jep mundësi të krijosh një rast të pastër goli. Nëse te 8-10 asiste potencialë gaboj 3, atëherë nuk kam luajtur mirë”.

Në fushë është një elozhe e esenciales. Diter Heking, trajmeri i tij në kohën e Volfsburgut, e thërriste “Fantazma”. Motivi? “Sepse nuk ishte tipiku i trekuartistit për të cilin kundërshtari mendonte: tani merr top, driblon tre dhe shkon drejt portës kundërshtare. Jo, ai udhëtonte në heshtje,por kur materializohej në veprim, të gjithë e vinin re”. Shpejtësi ekzekutimi, mendje dhe këmbë.

Hein Vanhaezebruk, një nga trajnerët e tij te Genk, mban mend se “ishte një nga futbollistët e rrallë me të cilët mund të flisje për futboll. Fjalëpak, por me ide të qarta dhe pa frikë për t’i shprehur”.

de-bryn1
Zhoze Murinjo dhe De Brujne, një bashkëjetesë e vështirë

Dhe, nëse mendoni se sot u hakmorr ndaj Hoze Murinjos, që te Çelsi e flaku pa u menduar dy herë, kur në vitin 2012 blutë e blenë nga Genk, jeni jashtë rruge. Kevin e bëri për Sitin, për tifozët, për skuadrën e tij dhe për pasionin më të madh: futbollin. Flop-i te Çelsi kishte shumë arsye, mes tyre një: “Murinjo nuk shpjegon, ai vendos dhe kaq!”, u shpreh belgu, që e pa fushën vetëm 132 minuta me “Special One” në stol. Te Siti, historia ndryshoi. Në fillim Pelegrini, tani Guardiola. Komunikimi ka qenë i duhuri, sinjali gjithashtu. Në janar të këtij viti, Siti pagoi 74 mln euro pa u menduar dy herë. Opinioni publik mbeti i shtangur. Si mundet të paguhet aq shumë një lojtar që vetëm disa vite më parë, Çelsi e bleu te Genk për 8 mln euro?! Mister… Por, mister ishte vetëm prania e tij te blutë e Londrës, që ndoshta sot e qajnë më shumë se kurrë. “Mister, unë këtu s’do të jem kurrë titullar fiks, më mirë të largohem”.

d
Nje sezon i kaluar me Verder Bremenin

De Brujne është një linjë e drejtë, edhe pse karriera e tij – pesë fanella të ndryshuara në katër vjet – është gjithë kthesa. Çështje prospektive, jo përshtatje, sidomos nëse flitet për Londrën, qytet ku e ëma jetoi nga viti 1970 deri në ditën e martesës. Bija e një tekniku që punonte në një kompani nafte, zonja Ana Kalant lindi në Bujumbara, Burundi, përpara se të shkonte në Bregun e Fildishtë për shkak të shpërthimit të luftës civile, duke u vendosur në Londër, në lagjen oksidentale të Ealing. “Jemi një familje qytetarësh të botës, për Krishtlindje, tavolina jonë flet anglisht, frëngjisht, fiamisht, kam njerëz në Paris, Itali dhe në Midlands”. De Brujne nuk ka pasur kurrë nevojë për futbollin që të udhëtojë.

b
Kur luante me Genk ne Belgjike

Anglia ishte pjesë e fatit të tij që i vogël. Më pas erdhën posterat e Majkëll Ouenit të varura në murin e dhomës, fryt i pasionit të shfrenuar të degës së familjes për Liverpulin, dhe eksperienca e parë në futboll, në moshën 10 vjeç. Një javë provë te Arsenali. E kishin parë te Mercator Cup me Gentin. “Kur të kalosh nga gjyshërit, eja na tako”, i kishin thënë disa “scout” të topçinjve. Kordoni i kërthizës me familjen shkëputet vetëm katër vjet më pas. Mes Gent dhe Genk nuk ndryshon vetëm një gërmë, por e ardhmja. De Brujne zgjedh Genkun, që është edhe adresa më e largët nga shtëpia (më shumë se 60 km), duke skartuar Bryzhin e Brukselit. Motivi i parë kishte të bënte me faktin që Klub Bryzh kishte si markë fabrike, edhe në nivel formues, një futboll fizik dhe muskulor që shumë pak përkonte me një trumcak si ai, fizik i imët dhe flokverdhë. E dyta sepse shkolla e lidhur me Anderlehtin gjendej në Leuven dhe spostimet do të kishin qenë të vështira.

Te Genku, studimi dhe futbolli mund të gërshetoheshin në mënyrë më të përshtatshme, politika formuese e klubit i përshtatej stilit të futbollit të djaloshit, instiktiv dhe krijues.

“Shumë nënvlerësojnë çfarë do të thotë për një 14-vjeçar të jetojë larg familjes”, shkruan. Te Genku jetonte në një kolegj problematik, me djem të marrosur dhe harbuar. Për De Brujne, mundësia e shfryrjes dhe harbimit ishte vetëm një: fusha e futbollit.

Wolfsburg 21/10/2014 Duitsland, interview Kevin De Bruyne rode duivel en speler bij Wolfsburg over zijn biography "keep it simple" (picture by Florian Van Eenoo/photonews) FOTO'S BLOKKEREN!!! exclusief hln

Sa i përket klubit në fjalë, pra Genk, ndoshta s’ka një Akademi formuese si Ajaksi, apo si shkollat portugeze të njohura në botë, por kur flitet për zhvillim dhe vlerësim talentesh të reja, klubi fiamin mund të thotë fjalën e tij. Duke mbledhur në një skuadër të vetëm futbollistë “made in Genk” më të famshëm të viteve të fundit, do të ishte kjo 11-tshe: Kurtua në portë, Defur dhe Praet në mesfushë, Ferreira-Karasko fantazist, Benteke dhe Orixhi në sulm. Jo keq për një klub që është larg skenës së futbollit të madh.

lll
Kevin De Brujne, në moshën 10-vjeçare

Dhe sot, ndoshta, ata drejtues apo trajnerë të moshave te Genk, kanë buzëqeshur me lumturi përpara tv duke ndjekur derbin e Mançester Junajtidit dhe duke shijuar futbollin e thjeshtë por cinik të biondit trumcak… Gol, një asist me shtyllë dhe një tjetër shtyllë.  Në fund, doli i ezauruar, teksa i dha dorën Guardiolës. Asnjë shikim nga Murinjo, ai që e përzuri nga Londra. Fundja, futbolli është ajo që ka rëndësi për Kevin De Brujne.

 

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.