Halili-Nuri, takim bardheblu

0

Zakonisht e diela është një ditë, të cilën Lutfi Nuri e shpenzon me familjen, por dje ai vendosi pas kushedi sa vitesh të ndryshojë stil. Tirana e futbollit jo rrallë ka qenë për të mbi familjen. Kishte kohë që kishte marrë një vendim. Një takim me presidentin dhe aksionerin kryesor të klubit, Refik Halilin. Fatet e tyre janë kryqëzuar shpesh në futboll. Për disa vite kanë kontribuuar së bashku për ekipin bardheblu, ndërkohë që për momentin palët vazhdojnë të kontribuojnë, madje dhe në burime njerëzore. Të dy djemtë e tyre luajnë me Tiranën. Kohët e fundit klima te Tirana nuk ka qenë e mirë. Rezultatet e dobëta dhe një lloj tensioni i brendshëm mes drejtuesve dhe tifozëve. Lutfi Nuri zgjodhi një rrugë, që sipas mendimit të tij, mund të sjellë sukses. E para, duhet sqaruar raporti personal me Refik Halilin. Në këto 13 vite, ai ndoshta nuk ka qenë gjithnjë brilant, por në shumicën e kohës të dy e kanë konsideruar njëri-tjetrin bashkëvuajtës në këtë mision për të ndihmuar financiarisht futbollin në përgjithësi dhe Tiranën në veçanti. “Na ka shkuar xhepi te çorapet”, ashtu sikundër Nuri thotë shpesh dhe madje këtë radhë kërkon ta theksojë në numrin shumës, duke përfshirë sigurisht dhe presidentin aktual. Një lloj propagande pa ndonjë burim të qartë në fakt, e shndërruar në thashetheme, përfliste se palët kishin një lloj ftohje. “Larg qoftë”, mendoi Nuri, “nuk ka mundësi që e keqja Tiranës t’i vijë nga unë”.

Një kafe miqësore në të tilla raste do të thotë shumë, por kafja zgjati më shumë se parashikimet. Ata qëndruan së bashku rreth 3 orë. “Duhet një tryezë e rrumbullakët bardheblu”, ishte propozimi i Nurit për Halilin. “Të bashkojmë sërish forcat, të mbledhim njerëz të urtë dhe të zgjidhim gjithë problemet, që kemi me tifozët. Na duhen të gjithë në stadium, duhet një frymë e mirë. Por, me urtësi, jo me luftë”. Sigurisht që Halili nuk ka pasur asnjë arsye të ketë diçka kundër kësaj ideje, pavarësisht se në qendër të akuzave, sidomos nga tifozët, ka qenë ai.

Ajo që do lexoni më poshtë mund të jetë një hamendësim, por kjo kafe mund të jetë një tjetër rifillim, i kushedi sati, në raportet me Halilit dhe Nurit. Këtu nuk flitet për gjëra zyrtare, aksione, shifra etj. Këtu flitet më së shumti për ribashkim klime. Në këtë moment flitet që palët të gjejnë qetësinë dhe maturinë e duhur dhe ti ofrojnë popullit bardheblu një ide të qartë. Ne nuk jemi këtu të shpenzojmë paratë tona dhe si këmbim të marrim fyerje dhe denigrime.

Do ishte fyese që kontributin e Nurit ta konsideroje vetëm financiar. Ai në porcione që di vetëm Halili dhe Nuri ka qenë çdo sezon i konsiderueshëm. Ajo që lipset në këtë moment është shfrytëzimi i gjithë mundësive për të shpëtuar një sezon problematik e pse jo më pas për të krijuar një model joshës në të ardhmen. Halili dhe Nuri janë takuar. Tifozët e Tiranës e kanë dashur gjithnjë këtë “kafe”.

Gjergji Stefa

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.