Gjyrezi: Ne të japim premio? T’i kishim ato euro, nuk do ishim në këtë gjendje

0

Gaspër Marku

Zhvendosja që prej së martës në kampingun sportiv të Ulqinit duket se Vllaznisë i ka shërbyer për mirë. Në kampin shkodran shprehen të kënaqur me këtë grumbullim, jo vetëm në aspektin tekniko-taktik e fizik, por më tepër në atë moral, sepse skuadra kishte nevojë më tepër se kurrë për një gjë të tillë. E pohon këtë për “Sport Ekspres” administratori Astrit Gjyrezi, i cili i ka qëndruar skuadrës pranë. Vllaznia do të kthehet sot në Shkodër dhe në orën 17:00 do të zhvillojë seancën e fundit stërvitore në stadiumin “Loro Boriçi”. Të enjten, pranë skuadrës kuqeblu ka qenë një përfaqësi e zgjeruar nga Shkodra për të ndjekur nga afër përgatitjet e Vllaznisë. Sipas administratorit Gjyrezi, gjendja e skuadrës është mjaft e mirë. “Qëllimi ynë ishte që ekipi të jetë sa më i mbledhur dhe i fokusuar totalisht te puna në fushë, për të apsur një forme sa më të mirë për ndeshjen e e së shtunës. Shpresojmë të marrim rezultatin që kërkojmë në këtë ndeshje”, – shprehet Gjyrezi. Duke folur për mungesat e shumta, përfshirë edhe atë të Vrapit, ai thekson: “Futbolli këto ka, edhe në ditët më të mira ndodh diçka. E mira ishte që në këtë ndeshje skuadra të ishte me formacion të plotë, por Vllaznia nuk ka vetëm 11 lojtarë. Duhet të përgatitemi edhe për mungesat, që janë prezente. Ekipi ka djem të rinj, që kanë dëshirë e vullnet të luajnë sa më fort në këtë ndeshje delikate, të japin maksimumin për Vllazninë, karrierën dhe qytetin. Futbolli ka të papritura, por kam bindjen se do të dalim patjetër me rezultat pozitiv. Dyert e stadiumit do të jenë të hapura për tifozët, që duhet t’i japin zemër skuadrës”.

PREMIO E ALUDUAR – Në lidhje me aludimin se Vllaznia ka paguar për të motivuar një ekip tjetër për të ndalur një rival të shkodranëve, Gjyrezi hedh poshtë gjithçka: “Absolutisht nuk është e vërtetë. Vllaznia është një klub që financohet nga bashkia dhe janë fonde publike. Vllaznia, nëse do të kishte edhe një shumë të vogël, shumë më pak nga shifra që aludohet në media, nuk do të kishte qenë në këtë gjendje. Janë dashakeqësi këto gjëra dhe nuk duhet folur kështu kurrsesi për Vllazninë. Eshtë një fyerje e madhe për klubin dhe për këta djem. Nuk kemi qenë kurrë pjesë e pazareve”.

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.