Gavazaj: Skënderbeu s’ndalet deri në sekondën e fundit

0

Leonard Trebicka

Skënderbeu fitoi në Durrës dhe pa dyshim që kjo fitore i shton shanset e titullit, pasi është vetëm 1 pikë pas Kukësit kryesues. Një luftë e fortë për titullin, ku vendimtare do të jetë ndeshja në Kukës. Janë edhe 3 finale, duke nisur nga kjo e radhës me Tiranën, që e ndajnë Skënderbeun nga titulli i radhës. Të gjithë në kampin korçar besojnë shumë se Skënderbeu ka shanse të mëdha ta fitojë edhe këtë trofe. Enis Gavazaj, i cili ka dalë dje në sallën e konferencave për shtyp, ka theksuar se ekipi korçar do ta vazhdojë serinë e fitoreve deri në fund. Madje, ai është i bindur për titullin kampion.

– Enis, po kaloni një formë mjaft të mirë. Ky është Gavazaj që prisnim, apo keni ende për të dhënë?

– Kur arrin formën e duhur, një futbollist ndjehet i plotësuar në vetvete. Por kjo nuk është vetëm merita ime. Si ekip jemi duke kaluar një formë të mirë dhe kjo ndihmon shumë më pas edhe elementët në veçanti. Kemi marrë rezultate pozitive të njëpasnjëshme dhe është diçka e mirë. Mendojmë të vazhdojmë kështu deri në sekondën e fundit të kampionatit.

– Keni marrë fitoren e 6-të radhazi në Durrës. Ku do të ndalet ky Skënderbe?

– Kam besimin se nuk do të ndalemi. E dimë forcën e grupit, kemi shumë lojtarë edhe në stol apo jashtë 18-shes, që kanë cilësi dhe mund të na ndihmojnë shumë në çdo moment. Formacioni i parë është duke bërë një punë shumë të mirë dhe po merr pikët e nevojshme për të qenë brenda objektivit.

– Me Teutën, pas golit të avantazhit, Skënderbeu sikur toleroi. Pse ndodhi kjo?

– Nuk e di çfarë ndodhi. Për mendimin tim, nuk është se goli na qetësoi, pasi gjatë gjithë kohës e kemi kërkuar golin e dytë, që do të na jepte siguri. Besoj se me pak fat mund të kishim shënuar më shumë. Trepikëshi është shumë i rëndësishëm për ne dhe jemi të kënaqur që e arritëm objektivin.

– Jemi në tri javët e fundit, tri finale për Skënderbeun…

– Po, janë 3 finale. Do të mundohemi të japim më shumë se 100%, sepse kemi ardhur deri në këtë pikë dhe nuk mund të lëshojmë. Duam të përmbushim objektivin sezonal, që na është caktuar nga presidenca.

– Por janë tre kundërshtarë shumë të fortë si Tirana, Kukësi dhe Partizani. Çfarë parashikoni?

– Të gjitha ndeshjet e kësaj faze kanë qenë të vështira. Kemi kaluar me sukses 6 ndeshje radhazi dhe shpresoj shumë se do t’ia dalim deri në fund, me angazhimin e gjithë ekipit. Jemi të bindur se do ta mbyllim me sukses të plotë këtë kampionat.

– Në tri fazat e para keni hasur vështirësi ndaj pretendentëve. Po tani?

– Po, në tri fazat e para nuk kemi marr maksimumin, por është fakt që tani jemi më mirë se në tri fazat e para. Kjo gjë shihet nga paraqitjet dhe nga angazhimi i lojtarëve në fushë në këto 6 javë. Të gjithë jemi të angazhuar për një qëllim, të arrijmë objektivin e caktuar nga klubi.

– U desh të dëmtohej Lilaj, që ju të binit në sy…

– Nuk është puna aty. Më vjen keq për Lilajn, pasi është një lojtar, i cili do të na jepte shumë dorë në fushë. Ndoshta ky ka qenë momenti më i mirë për mua, pasi kam ardhur në maksimumin tim.

– Kukësi apo Partizani, kush ju tremb më shumë?

– Nuk kemi asnjë rival, duhet ta luajmë çdo ndeshje si një finale. Eshtë njësoj si ndaj Kukësit, ashtu edhe ndaj Partizanit. Do të bëjmë maksimumin dhe do të jemi të përqendruar në objektivin e titullit.

– Një pikë është diferenca me kreun. Mendoni se në Kukës do të ndahet gjithçka?

– Kemi përpara Tiranën dhe më pas do të mendojmë për Kukësin e Partizanin. Jemi të bindur se do të marrim maksimumin. Nuk e nënvlerësojmë Tiranën, edhe pse po kalon momente të vështira. Nuk ka kohë për të lënë pikë. E dimë se kundër Skënderbeut çdo ekip jep maksimumin në fushë, ndaj do të kemi përqendrimin e duhur për të marrë 3 pikët.

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.