Emini: Pejiç më tha se i mungova

0

Jurgen Zela

Sulmi ka qenë pika më e fortë e Kukësit këtë sezon, diçka normale kur në organikë janë pjesë emra si Pejiç, Emini dhe Guri. NË ndeshjen me Skënderbeun Pejiç, ndryshe nga më parë, luante i vetëm në sulm, pasi Izair Emini nuk ishte në gjendjen e tij optimale, për shkak të një dëmtimi. Tetovarit i ka shërbyer pozitivisht kjo periudhë pushimi për ndeshjet e kombëtares, duke e lënë plotësisht pas krahëve dëmtimin. Në një intervistë ekskluzive për “Sport Ekspres”, 31-vjeçari flet për titullin kampion, partneritetin me kroatin Pejiç, si dhe zbulon se çfarë i ka thënë ai pas ndeshjes me Skënderbeun. Vetëm 7 gola këtë sezon? Emini vendos rezultatet mbi gjithçka.
U rikthyet nga dëmtimi duke luajtur në pjesën e dytë në Korçë. Si e patë këtë takim, duke pasur parasysh që përballë kishit një rival direkt?
Nuk kam qenë i gatshëm për afro tre ndeshje dhe jam munduar që të jem sa më parë i gatshëm për të ndihmuar ekipin. Mu dha mundësia që të luaja 20 minuta në Korçë dhe dhashë më të mirën time. Jam i lumtur që arritëm të merrnim një pikë më shumë vlerë, pasi tani na pret një tjetër përballje e vështirë me Luftëtarin, ku synimi ynë është vetëm fitorja dhe asnjë rezultat tjetër.
Mendoni se i keni munguar Pejiçit?
Me Peron jemi shumë shokë dhe diskutojmë gjithmonë. Pas ndeshjes më tha vetë se e kishte të vështirë, duke qenë i vetëm në qendër. E ka ndjerë mungesën time. Të dy jemi të lumtur që do të luajmë përsëri së bashku.
Sa afër titullit ndodhet Kukësi kur duhen na ndajnë 10 ndeshje nga fundi?
Kemi dhe 10 takime për të luajtur dhe diferenca me rivalët është shumë e vogël. Mendoj se gara do të jetë e fortë deri në fund. Ne do të bëjmë më të mirën tonë dhe mendoj se jemi më afër titullit, pasi kemi kaq shumë javë në krye dhe besojmë se do të arrijmë që ta mbajmë vendin e parë deri në fund. Besoj shumë se titulli kampion këtë sezon do të shkojë në Kukës.
Vetëm shtatë gola, besoni se do të shënoni me Luftëtarin?
Si çdo sulmues unë dua të shënoj sa më shumë gola dhe të ndihmoj ekipin në arritjen e objektivave. E rëndësishme është që të vazhdojmë të ruajmë pathyeshmërinë, të fitojmë dhe të ecim përpara. Nuk ka shumë rëndësi kush shënon. Ruajtja e kreut është ajo që mendojmë të gjithë, kjo është filozofia jonë. Të gjithë bashkë kemi arritur të jemi të pathyeshëm.
Kjo javë do të rezervojë takimin Partizani-Skënderbeu, cilin rezultat do të preferonit?
Mendoj vetëm për rezultatin tonë. Uroj që të marrim 3 pikët dhe më pas kundërshtarët të bëjnë çfarë të duan. Ne nuk na interesojnë kundërshtarët, na intereson vetëm ekip jonë. Pavarësisht kësaj, një barazim nuk do të ishte keq, por e theksoj që ne shohim vetëm punën tonë.
Nga tuneli në Kukës në këmbë?
Realisht është një distancë e konsiderueshme në këmbë (qesh), por e ka thënë presidenti dhe duhet zbatuar. Për mua nuk ka shumë rëndësi se si do e bëjmë në këmbë me autobus apo me makinë, rëndësi ka që tifozëve tanë t’u plotësojmë dëshirën që tu çojmë titullin. Ky është premtimi im.

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.