Ekubani e mbyll me Partizanin, “lamtumirë” të dielën

0

Partizani po përgatitet për “ciao”-n e parë. Lojtari i parë që do t’u largohet përfundimisht të kuqve është Kaleb Ekuban. Sulmuesi po kalon ditët e fundit me skuadrën dhe pas ndeshjes me Skënderbeun do të largohet zyrtarisht duke i shuar edhe shpresat se mund të qëndrojë për Kupat e Europës. “Sport Ekspres” raportoi në numrin e djeshëm se futbollisti ka kërkesa dhe një ofertë zyrtare në tavolinë nga Slovan Bratislava. Nisur nga interesimi i madh për të, menaxherët, por edhe vetë me dëshirën e tij, Ekuban nuk e mendon fare qëndrimin te Partizani. 23-vjeçari i ka marrë më të mirën eksperiencës së tij në Shqipëri dhe tashmë ka përveshur mëngët për një aventurë të re, më të fortë.

LARGIMI – Sulmuesi ganez do të largohet nga “demat” pas ndeshjes me Skënderbeun dhe ndeshja e fundit që do të veshë fanellën e të kuqve do të jetë pikërisht transferta e Korçës. Ekubani nuk do të luajë as në Kupat e Europës me të kuqtë, theksojnë burime pranë klubit të kuq dhe vetë lojtarit. Marrëdhëniet e tij të mira me klubin nuk do të bëjnë që ai të qëndrojë në Shqipëri, pasi dëshiron të bëjë hapin e madh të karrierës, pa harruar që një ndeshje me Partizanin në kupat e Europës mund t’i prishë punë në vazhdim. Kujtoni rastin Latifi: verën e shkuar luajti për Kukësin në Europë, pastaj u kthye te Skënderbeu dhe në janar “u dogj”, sepse nuk lejohej të ndryshonte sërish klub deri këtë verë.

PARTIZANI – Kryeqytetasit pasi kanë tentuar në nëntor dhe në shkurt për të bindur sulmuesin që është huazuar nga Kievo kanë reshtur me tentativat. Burime pranë klubit të kuq bëjnë me dije se “demat” nuk kanë bërë një ofertë zyrtare për sulmuesin, pasi e dinë dëshirën e tyre për t’u larguar. Në kushte të tilla, ata nuk kanë dashur të humbin kohë në bisedime boshe dhe do të ndahen me Ekubanin në mënyrë shoqërore. Ku i dihet, jeta është e gjatë, rrugët e tyre mund të hasen sërish.

ALTERNATIVAT – Partizani me largimin e Ekubanit del i zbuluar në repartin ofensiv. Xhevahir Sukaj është emri më potencial i repartit, por që nuk ka fituar minutat e duhura dhe nuk po arrin të fitojë rolin që kishte, para se të largohet. Emri tjetër që bën pjesë në këtë repart është Matju Bonifejs. Sulmuesi nigerian ka pasur minuta, por nuk ka bindur dhe përmendet si një nga emrat për t’u larguar. Emri tjetër është Realdo Fili, futbollisti ka pasur jo pak probleme me aktivizimin dhe e ardhmja e tij është në dyshim. Lojtari do të ketë një takim me klubin pas ndeshjes me Skënderbeun. Një nga emrat e përmendur edhe në merkaton e janarit është Agim Ibrahimi. Në merkaton e kaluar kishte shumë probleme, ndërsa tani gjërsa tani gjërat mund të arrihen më lehtë.

AVENTURA – Një vit zgjati aventura e Kaleb Ekubanit te skuadra e Partizanit. Ai u afrua në verën e kaluar dhe do të largohet pas ndeshjes me Skënderbeun. 35 ndeshja dhe 17 gola duke qenë golashënuesi më i mirë i “demave”. 23-vjeçari padyshim është ndër lojtarët më të mirë që kanë luajtur në Superiore. Por para se të mallëngjehemi në fund, siç ndodh zakonisht, duhet t’i themi faleminderit, mbase në një të ardhme të afërt ose të largët rrugët mund të ndërthuren sërish… prandaj “ciao-ciao” Eku, shpresojmë të të shohim përsëri në stadiumet tona.  

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.