Ekskluzive/ “Ujku, po mos e shih”! Strategjia e trajnerit të Vllaznisë, flet Plori: Besëlidhjen e motivojmë me Partizanin për Superiore

Nga Klaudio Ndreca

Në orën 19:00 do të zhvillohet të dielën edhe ndeshja e “Play-Off” mes Vllaznisë dhe Besëlidhjes. Një finale ku luhet gjithë sezoni i dy ekipeve, që vijnë nga realitete dhe pozita krejtësisht të ndryshme. Shkodranët vuajnë dështimin e shumë viteve radhazi për shkak të keq menaxhimit të tyre, duke mos i shpëtuar dot situatës së keqe që e ka kapluar.

Që në ditën që ka mbërritur te Vllaznia dhe në vazhdimësi, deri në përmbylljen e këtij sezoni të Superiores, trajneri Hysen Dedja e ka vendosur theksin vetëm te një faktor: “Psikologjia”. Pra futbollistët janë të dorëzuar tërësisht në aspektin psikologjik dhe do të duhet një punë e madhe, fitore radhazi dhe triumfe që lojtarët të besojnë në vetvete.

Fjalët dhe strategjitë që mund të përdoren nga klubi mund të rezultojnë boshe nëse ekipi nuk merr rezultate, që është i vetmi ilaç për të shëruar sëmundjen e Vllaznisë. Përpara takimit me Besëlidhjen trajneri Dedja ka provuar një strategji tjetër. Tekniku i shkodranëve është shprehur se nuk i frikësohet aspak kundërshtarit dhe se nuk ka asnjë dyshim të vetëm se Vllaznia do të mbetet në Superiore, por kjo finale është një ndeshje më tepër për t’u zhvilluar.

Në fakt, ashtu si një fëmijë i trembur që është i detyruar të kalojë përpara një ujku si rruga e vetme, por duhet ta bëj këtë duke mos e dërguar mendjen te rreziku dhe frika. Në këtë rast ujku simbolizon makthet e së shkuarës të Vllaznisë, që vetëm pak kohë më parë e preku turpërimin me rënien nga Superiorja. Plagët janë ende të hapura dhe një tjetër dështim do të shkaktonte një reagim të madh, prandaj nuk duhet të përfundohet kurrsesi në gojën e këtij grabitqari. Por sërish ujku mbetet aty!

Nga ana tjetër kemi Besëlidhjen, një ekip simpatik të krijuar nga trajneri Plori që meriton të gjitha duartrokitjet për punën e bërë në këtë sezon. Në fakt këta të fundit kanë treguar se asgjë nuk është e pamundur pasi arritën të nxirrnin edhe Partizanin nga Kupa e Shqipërisë. Në një intervistë për “Sport Ekspres”, Plori tregon se do të jetë pikërisht ky motivimi që do t’i bëhet futbollistëve përpara Vllaznisë.

Në fjalët e trajnerit Dedja u tha qartë se Vllaznia nuk e llogarit qëndrimin në elitë, që nënkupton humbjen tuaj. A është ky një “presion i fshehur” brenda Shkodrës me frikën e përsëritjes të së shkuarës apo vërtet ka këto diferenca mes ekipeve? Si e gjykoni?

Po trajnerit Dedja flet për ekipin e Vllaznisë dhe ka të drejtën e tij që të thotë ato që dëshiron. Unë flas për Besëlidhjen dhe duke e njohur ekipin tim, Superioren dhe Kategorinë e Parë, mendoj se ka diferenca, por jo shumë të mëdha. Gjithsesi interpretimi i ndeshjes për faktin se ka shumë presion, do të mbetet vendimtar.

Eliminimi që i keni bërë Partizanit në Kupë. A do të përdoret si një motivim për lojtarët për t’i treguar se asgjë nuk është e pamundur?

Po normalisht që është një pjesë e motivimit tonë. Sidomos ndeshja e parë që kemi zhvilluar dhe e fituam 3-0. Kjo tregon se me dëshirë dhe entuziazëm mund të arrihet edhe fitorja përballë ekipeve të Superiores.

Cilat janë ndjenjat e Plorit para ndeshjes me Vllazninë?

Eh ndenjat…! Mund të them vetëm kaq, që më rri mendja gjatë gjithë kohës vetëm te mundi, djersa e sakrifica e të gjithëve në këtë vit. Uroj shumë që të na shpërblehet.

Marrim rastin e mrekullisë së Besëlidhjes. Në Superiore do të ishte kalimtare apo do të qëndronit gjatë?

Po për të ardhmen nuk mund të flasim pasi jetojmë në Shqipëri dhe gjithçka mund të ndryshojë shumë shpejt këtu. Gjithsesi ligji për sportin nëse do të vihej në zbatim në vendin tonë, atëherë do të ndihmonte së tepërmi ekipet dhe futbollin në vendin tonë. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online