E kontakton edhe Nagelsman, Rashicën e duan brenda Gjermanisë…por presin të “premten e zezë”

Milot Rashica ka shkëlqyer dy sezonet e fundit me fanellën e Verder Bremenit, por një gjë është e sigurt se e ardhmja e tij do të jetë larg këtyre të fundit. Kjo verë do të jetë vendimtare për talentin shqiptar, ndërsa vetë menaxheri Lala e theksoi se ka ardhur koha për të luajtur në Champions League. Interesimi nuk ka munguar për të, teksa në garë është edhe Lajpcigu. Ekipi gjerman po bën mjaft mirë në kampionat dhe në Champions League e në dukje të parë shihet si një alternativë e duhur për Rashicën, duke i plotësuar kushtet e lojtarit.

Sipas asaj që raporton prestigjozja gjermane “Bild”, vetë trajneri Nagelsman ka kontaktuar me sulmuesin dardan për ta bindur të vihet nën urdhërat e tij. Megjithatë një problem i madh është çmimi i lojtarit. Verderi kërkon 38 milionë euro për ta lënë të lirë, por kjo shifër është e lartë për Lajpcigun. Ndërkohë bëhet me dije nga media në fjalë se një rënie nga kategoria për Bremenin, do të sillte një ulje të ndjeshme të kartonit të Rashicës, që do të shkonte në 15 milionë euro.

Vetëm në këtë rast Lajpcig do të vinte me një ofertë zyrtare në tryezën e skuadrës gjermane. Kështu Naglesman me sa duket pret “të premten e zezë” të vijë për Bremenin, në mënyrë që të hidhet në aksion. Një pistë e tillë do të bënte që Rashica të kishte mundësi të vihej në dispozicion të atij që shihet si Klopi i ri, Nagelsman./Halit Delibashi-Sport Ekspres/