Cana pret Marsejën, për ta rinisur nga… Akademia

0

Anton Cicani

Lorik Cana dhe Marseja. Një dashuri që kurrë s’ka reshtur, edhe pse duhet theksuar se mbrojtësi gjakovar do të kishte dashur që të kthehej si futbollist. Por, shëndeti dhe fiziku i tij tashmë janë shumë larg të qenurit në formë dhe, ndaj, me topin e ka mbyllur. Një fund ndoshta i hidhur dhe ne hije, pasi pritej një lamtumirë pak më e bukur dhe e hijshme. Ajo do të vijë, por vetëm nëse disa gjërat lidhen, si një miqësore, për shembull, mes Shqipërisë dhe Kosovës, për ta nderuar ashtu si e meriton. Përpos kësaj, e ardhmja e Canës është ende një pikëpyetje e madhe. Së shpejti, do të kthehet në Shqipëri për të ndjekur kursin e trajnerëve, teksa është duke programuar edhe sa i përket bizneseve të tij. Në fakt, prej kohësh po ka sukses në pijen energjike “Black Eagle”, ndërsa prej disa muajsh ka hapur në Prishtinë një restorant me kuzhinë tradicionale. Por, s’do të ndalet këtu, sepse pasi biznesi i eksportit të verave s’ka funksionuar, mund të ketë zhvillime interesante, sidomos në Itali.

Le të kthehemi te e ardhmja dhe dëshira e tij e madhe që quhet “Marsejë”. Sepse, ish-kapiteni i Shqipërisë, pret me padurim një telefonatë nga “Velodrome”, shtëpia e tij. Jo për të qenë drejtues klubi, jo ndihmës trajner, por përgjegjësi dhe trajneri i Akademisë së klubit. Pikërisht, mesazhi që dëshiron t’i përcjellë më të rinjve, duke qenë se ai fanellën e Marsejës e ka nën lëkurë, mund të jetë edhe arma që do të bindë drejtuesit francezë që ta marrin në konsideratë. Për momentin, mes shëtitjeve me gruan dhe djalin e tij, shtëpisë apo pushimit, Cana nuk ka ndër mend të bëjë gjëra të tjera.

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.