“Bomba” e Partizanit, Starova kandidon për “fronin” e FSHF-së?
Lufta mes Partizanit dhe Federatës Shqiptare të Futbollit po arrin në kufijtë e absurdit këtë sezon, pasi nuk ka javë që klubi i kuq të mos akuzojë e të ankohet për FSHF-në dhe presidentin Armand Duka.
Natyrisht, një person dyshues do të ngrinte pyetjen: Çfarë fshihet pas gjithë kësaj beteje?
Ndoshta, por vetëm ndoshta, synimi qenka marrja e fronit të Dukës. Nuk mund të mos interpretohet kështu lajmi se Sulejman Starova mund të kandidojë për kreun e FSHF-së.
Këtë lajm e ka komentuar edhe presidenti i Partizanit Gazment Demi,i cili nuk e përgënjeshtron në mikrofonin e Supersportit: “Presidenti i Federatës nuk mund të kandidohet me emra, por me platforma. Nuk e di a ka platformë Starova apo jo, nuk mund ta them unë. Starova është marrë edhe më përpara me federatën. Sa i përket Partizanit, të gjithë e dinë që kemi bërë një marrëveshje xhentëlmenësh që të dalë në pension me mua. Rolin e trajnerit e ka vetë në dorë ai, do rrijë apo do ikë, e vendos vetë ai. Ju e dini që është këshilltari im kryesor. Tani që m’u shtua edhe Moxhi, Starova do të jetë krah tij, nëse nuk do të jetë më si trajner”.