Abazaj: Kemi kalendar “ferri”, marrim pikë në Laç

0

Gëzim Beqiri

Luftëtari e ka zhvilluar në fushën e stadiumit stërvitjen e djeshme. Deri në përfundim të kampionatit, në Gjirokastër do të luhen vetëm dy ndeshje, me Teutën dhe Kukësin javën e fundit, ndaj dhe ekipi ka mundësinë të stërvitet në fushën e stadiumit, duke mos e dëmtuar atë. Dje janë stërvitur bashkërisht gjithë futbollistët, me përjashtim të mbrojtësit Rapa, i cili ka vrapuar i vetëm për disa minuta, sepse është ende i dëmtuar, por që do të jetë i gatshëm për ndeshjen e ardhshme, që Luftëtari do ta luajë në Laç. Bojom ka vepruar bashkë me të tjerët dhe ndaj kurbinasve skuadra gjirokastrite do të ketë vetëm një mungesë nga titullarët, Behar Ramadanin.

ABAZAJ – Për transfertën e Laçit, sulmuesi i Luftëtarit, Kristal Abazaj, mendon se ekipit i tij do t’i kthehet rezultatit pozitiv, duke pranuar njëkohësisht se ndaj Skënderbeut humbja nuk ishte vetëm meritë e korçarëve: ”Skënderbeu dihet që është skuadër e përgatitur, por loja jonë ishte nën nivelin e mundësive tona. Kërkonim me çdo kusht të mos dilnim pa pikë ndaj kampionëve të vendit dhe ishim të ngarkuar psikologjikisht, kur duhej të mos ndodhte kështu, sepse ishin ata nën presion. Por futbolli i pranon të tre rezultatet. Ndaj Laçit është më e vështirë për të marrë pikë, sepse ata e kanë ndeshjen me ne një finale për të qëndruar ose jo në Superligë. Ne kemi objektivin tonë, pasi synojmë vendin e katërt në klasifikimin përfundimtar. Kalendarin e kemi të vështirë në vazhdim, ndaj dhe do të pretendojmë që këtë javë të mos dalim pa pikë. Jemi duke i marrë ndeshjet një nga një  dhe tani jemi të përqendruar tek ajo me Laçin. Pas saj luajmë përsëri në transfertë, me Vllazninë, duke vazhduar takimet me të tjera skuadra, që rrezikohen për rënien nga Superliga, siç janë Teuta, Tirana, kurse në fund mundet që titulli kampion të kalojë nga Gjirokastra. Do të luajmë në fushën tonë javën e fundit me Kukësin, që duket se do të ndajë titullin me Partizanin dhe Skënderbeun në minutat e fundit, që do të thotë se kjo ndeshje do të jetë edhe më e vështira në 5 javët e mbetura të këtij sezoni. Një rezultat pozitiv në Laç është një mundësi më shumë për pjesëmarrjen në Kupat e Europës, ndërkohë që objektivin me të cilin e nisëm kampionatin, qëndrimin në Superligë, tashmë e kemi realizuar dhe kjo na bën krenarë, pavarësisht si do të jetë ecuria e skuadrës tonë në javët e mbetura”, – ka thënë dje për “Sport Ekspres” Kristal Abazaj.

Gëzim Beqiri

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.