Zyrtari i Veronës flet për Kumbullën si për Kristiano Ronaldon: I pari që vinte në stërvitje, ky është shembulli i të gjithëve

Nga Klaudio Ndreca

Deri tani jemi mësuar me të gjitha historitë që tregohen për mënyrën sesi Kristiano Ronaldon e përgatiti veten për të mbërritur në majat më të larta. Pra me mënyrën sesi ky sulmues stërvitej si të ishte një makineri, duke ndryshuar nga gjithë pjesa tjetër e lojtarëve, që mjaftoheshin me orët e stërvitjes që caktonte klubi.

Por nuk duhet të shkojmë shumë larg, pasi tani kemi edhe një shembull shqiptar për t’u marrë në konsideratë, megjithëse më modest. Këtë nuk e themi ne, por e thotë vetë menaxheri i të rinjëve të Veronës, Alberto Saucman. Ky i fundit është shprehur se Kumbulla është modeli që duhet të ndiqet nga të gjithë të rinjtë, pasi ishte i pari që vinte në stërvitje, e demostronte punën me vepra dhe jo me fjalë, ndërsa e ndihmonte klubin dhe me kampet që organizonte për më të vegjlit.

“Është një shembull për të gjithë fëmijët. Unë jam i lumtur që pata fatin e mjaftueshëm për ta stërvitur dhe nuk ka qenë një nga ata që kishim shumë pritshmëri. Por familja e madhe e Veronës i ka besuar atij, ashtu siç ai i ka besuar vetes . Mua më pëlqen të kujtoj kur Kumbulla donte që të përmirësohej pas çdo stërvitje. Gjithmonë vinte i pari në stërvitje dhe ishte një lider në fushën e lojës, duke e demonstruar me vepra dhe jo duke folur.

Jashtë fushës ishte një person i pabesueshëm. Më kujtohet kur ka ardhur thuajse në çdo vit për të na ndihmuar me kampet që ne organizonim. Ka atë lloj mentaliteti që vërehet menjëherë: “Ndonjëherë përgatitja dhe përkushtimi ka më shumë rëndësi se talenti, familja ka pasur një ndihmë të madhe këtu dhe ka qenë e mrekullueshme”, ka thënë Saucman. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *