Zyrtari i klubit pohon lëvizjen e çuditshme, Ibrahimoviç mund të shkojë te Bolonja…për hir të dashurisë

Duket shumë e çuditshme, por ka gjasa që edhe Bolonja të marrë shërbimet e Zlatan Ibrahimoviç. Kjo nuk është vetëm një jehonë mediatike e pabazuar, pasi për këtë lëvizje ka folur edhe vetë zyrtari i klubit.

Bëhet fjalë për drejtorin teknik të Bolonjës, Walter Sabatinin. Në një prononcim të dhënë për “Sky”, jo vetëm që nuk e përjashton një transferim të tillë, por njëkohësisht shprehet se trajneri Mihajloviç qendron prapa gjithë kësaj.

“Ibrahimoviç? Është një marrëdhënie personale mes tij dhe trajnerit. Nëse do të ndodhë, do të jetë për shkak të dashurisë së madhe mes tyre. Diçka është duke lëvizur. Asgjë nuk është e pamundur dhe ne po shpresojmë”. Sigurisht që e gjitha kjo është e çuditshme, në një kohë që pritej një transferim në ekipe elitare për Ibrahimoviç. Pavarësisht moshës së lartë, klasi në këmbët e sulmuesi suedez nuk ka ndryshuar shumë. /Sport Ekspres/