Zyrtare, Xherard merr drejtimin e gjigantit skocez

Stivën Xherard ka arritur marrëveshjen dhe do të prezantohet sot si trajneri i ri i Reinxhers në Skoci. Ish-mesfushori legjendar i Liverpulit, tashmë 37 vjeç, do të pasojë Grem Martin, i cili ishte trajner i përkohshëm, pas largimit të Pedro Kaisinjës në tetor.

Xherard nuk ka drejtuar asnjë klub profesionist dhe vitin e fundit ka punuar në sektorin e të rinjve të Liverpulit, ndaj është e qartë që bëhet fjalë për një bast shumë të guximshëm dhe me rrezik. Nuk duhet harruar se jo vetëm që Xherard nuk ka eksperiencë si trajner, por edhe Reinxhers nuk është në lartësinë e emrit të vet, sepse vitet e fundit ka pasur krizë të thellë financiare, aq sa shpalli edhe falimentimin dhe zbriti në futbollin amator.

Edhe tani që është kthyer në Premiershipin skocez, Reinxhers mbetet dukshëm inferior ndaj Seltikut dhe po lufton për vendin e dytë me Aberdinin. Xherard e merr drejtimin në një moment zie, sepse javën e shkuar Reinxher humbi 5-0 ndaj Seltikut, që festoi matematikisht titullin pikërisht në derbi.

LIVERPULI NË FOKUS

Stivën Xherard mund të mos ketë eksperiencë si trajner, por çon në Skoci një ekperiencë të jashtëzakonshme si futbollist, sepse ka punuar me trajnerë të mëdhenj, ka qenë kapiten i Anglisë (114 ndeshje( dhe ka luajtur 710 ndeshje për Liverpulin, ku ka fituar 9 trofe, përfshirë Champions League, me një paraqitje madhështore në Stamboll ndaj Milanit në vitin 2005. Ashtu si atëherë, Xherard duhet të bëjë një mrekulli tjetër në Gllasgou.

Kohët e fundit Xherard refuzoi stolin e MK Dons në Ligën 1 angleze, ndërsa tani nis një udhëtim që ka një qëllim final: të përfundojë në stolin e Liverpulit. A do t’ia dalë mbanë?

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *