Zyrtare: Xhejms në Izrael, Gabala lë “thatë” Skënderbeun

Sodiq Atanda zgjodhi të transferohej në Izrael këtë verë, duke lënë skuadrën e Partizanit. Më parë ka nënshkruar një parakontratë edhe Sabien Lilaj, ndërkohë që tanimë është radha për t’u transferuar në të njëjtin kampionat edhe ish-sulmuesi i Skënderbeut, Xhejms Adeniji.

Ironi Kiriat Shmona është destinacioni i nigerianit, i cili verën e shkuar u shit nga Skënderbeu te Gabala për shifrën e 350 mijë eurove. Sulmuesi ka rënë dakord për kontratën me izraelitët, që e presin t’i bashkohet skuadrës.

Korçarët një vit më parë kanë mbajtur edhe përqindje të kartonit të Xhejms, çka do të thotë se edhe ata do të përfitojnë miliona lekë nëse sulmuesi shitet. “Po, kemi mbajtur 20% të vlerës së kartoni të Xhejmsit, që do të thotë se në çdo rast shitjeje të këtij lojtari nga klubi azer, do të përfitojë edhe Skënderbeu”, deklaronte Gerhard Takaj për Sport Ekspres verën e shkuar.

Gjithsesi korçarët nuk mund të përfitojnë nga kjo lëvizje e bërë së fundmi, pasi Xhejms shkon te Ironi Kriat Shmona në formë huazimi. Izraelitët e kanë paguar shumën e 100 mijë eurove për ta marrë borxh.

Xhejms bëri një sezon shumë të mirë një vit më parë me Gabala, teksa arriti të shënonte 10 gola. Sulmuesi u përzgjodh në formacionin më të mirë të vitit në Azerbajxhan dhe për të ka pasur shumë oferta, mes tyre edhe nga Karabaku që nuk gjeti dot akordin me klubin e Xhejms.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *