ZYRTARE/ Tramexani lë Luganon, “shi” ofertash drejt tij

Paolo Tramexani nuk është më trajner i Luganos. Ish-ndihmësi i Xhani De Biazit në kombëtaren shqiptare ka vendosur ta mbyllë si hero, sepse në vetëm pak muaj në drejtim e ngjiti Luganon nga zona e ftohtë në vendin e tretë në renditje, duke e kualifikuar për në Europa League. Një mrekulli i vogël, ndihmuar edhe nga Armando Sadiku, goditja e madhe e Tramexanit në janar.

“Dje u takova me Paolon dhe dëgjova arsyet e tij. Vendimi i përbashkët është prishja e marrëveshjes, duke zbatuar dëshirën e tij. Dua të kem një marrëdhënie të mirë me të. Shpresoja ta mbaja, nuk dua të hedh atë që është bërë. Trajneri i ri duhet të ketë karakteristikat e Paolos, të jetë i zoti t’i motivojë në maksimum lojtarët. Bëra një mrekulli duke e marrë Tramexanin, por ka ardhur koha që të hedhë një hap më tej, sepse ai do shkojë në një klub më të madh, me pagë më të lartë. Nëse ndonjë lojtar do të dëshirojë të largohet me trajnerin, do të bisedojmë”, e nisi në konferencën për shtyp mbajtur sot në Lugano presidenti Anxhelo Renxeti.

Më pas, fjalën e mori Tramexani: “Falënderoj presidentin. Përtej gjithçka ndodhi, forca jonë ka qenë ajo e të folurit dhe të përballurit me njëri-tjetrin. Marrëdhënia jonë ka qenë e rëndësishme që në fillim. Ai më lejoi të nisja karrierën si trajner i parë. E lë Luganon në Europa League dhe ky është një rezultat i bukur, por edhe më i bukur është raporti që kam pasur me gjithë klubin. Diferencën e bënë djemtë, që kanë ndryshuar lëkurë pa asnjë problem.

“Arsyet e largimit? Në dy vite e gjysmë kontratë që kisha, plani ishte mbijetesa dhe vitin pasardhës diçka më shumë. Kemi arritur gjithçka me një shpejtësi marramendëse, ndaj mendoj se e arrita objektivin afatgjatë, edhe pse për presidentin kam menduar vërtet të qëndroj. Kam marrë shumë oferta dhe dua ta nis nga zero. Ka qenë një projekt rritjeje i pabesueshëm. Brenda meje do të ruaj përgjithmonë atë që kam marrë nga këta djem. I falënderoj të gjithë, sepse ka qenë një eksperiencë shumë e bukur. Ma bëri zemrën mal përqafimi i marrë nga qyteti. Është e vërtetë, kam bërë edhe gabime, por kam dhënë gjithçka dhe jam krenar për eksperiencën e përjetuar. Tani dua ta nis nga zero, nuk kam frikë nga eksperiencat e reja, do të jap gjithçka, si zakonisht”.

Tramexani ka kritikuar gazetarët: “Nuk kam folur sepse nuk më keni kuptuar, më keni kritikuar shpesh dhe nuk keni dhënë gjithçka për të kuptuar situatën. Uroj që të gjeni një trajner më të mirë se unë, që të bëjë gjithçka për ju, t’u japë formacionin dhe të pijë kafe me ju”.

Sot “Sport Ekspres” raportoi se Tramexani ka kontakte me Hamburgun dhe oferta është serioze https://sportekspres.com/tramexani-ribashkohet-me-mavrajn/, por ndërkohë në garë janë edhe klube të tjerë, nga Superliga e Zvicrës dhe nga Italia, ku Novara ka bërë një tentativë zyrtare.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *