Zyrtare/ Sulmuesi maqedonas e kalon provën, Vllaznia i plotëson dëshirën Jonuzit

Klubi i Vllaznisë ka shtuar forcat në sulm, duke afruar lojtarin nga Maqedoia e Veriut. Sulmuesi Simeon Hristov ka firmosur ditën e sotme me shkodranët kontratën, e cila ka një kohëzgjatje një vjeçare. Futbollisti i është bashkuar grupit të Jonuz gjatë fazës përgatitore në Ohër, ku pas disa ditëve stërvitje ka arritur që të bindë trajnerin dhe klubin që t’i ofrojnë një vend në ekip. Më parë 27-vjeçari ka luajtur në kampionatin maqedonas, ku së fundi ka qenë pjesë e Borec Veles, me të cilët ka zhvilluar 15 takime dhe ka shënuar 3 gola.

Lajmin për afrimin e Hristov e ka bërë të ditur vetë Vllaznia, që me këtë afrim shpreson të ndryshojë gjendjen e saj në fazën sulmuese. Ndërkohë, një përforcim në këtë repart është kërkuar prej kohësh nga trajneri Mirsad Jonuz./Sport Ekspres/

Njoftimi i klubit:

Ashtu siç pritej, pas disa ditësh stërvitje me ekipin, mesditën e sotme është arritur akordi dhe më pas ka ardhur firma në kontratë me futbollistin maqedonas Simeon Hristov. Lojtari në fjalë luan në pozicionin e sulmuesit dhe me marrjen e tij, drejtuesit e klubit kanë plotësuar një nga kërkesat e stafit teknik për përforcime në repartin ofensiv, duke shpresuar të kemi zgjidhur problemin e shfaqur tek skuadra në gjysmën e parë të sezonit. Klubi dhe futbollisti Simeon Hristov kanë firmosur sëbashku për një periudhë njëvjeçare.

KF Vllaznia i uron mirëseardhjen këtij futbollisti dhe shpresojmë që bashkëpunimi dypalësh të jetë sa më i frushëm në të mirë të skuadrës tonë.