Zyrtare/ Prezanton dy afrime në një ditë, Bylisi bën merkato nga elita e Ukrainës

Ekipi i Bylisit ka zyrtarizuar ditën e sotme dy transferimet e para në këtë merkato të janarit. Edhe pse me emrin e klubit mallakastriot janë lidhur shumë futbollistë gjatë këtij muaji, asnjë afrim zyrtar nuk ishte bërë nga ana e Bylisit. Megjithatë, ballshiotët kanë pasuruar organikën e tyre me dy lojtarë të huaj. I pari është Visente De Paula Mercedes, i cili vjen në Shqipëri pas një ekspreience në kampionatin ukrainas ku ka qenë në radhët e skuadrës së Lvivit për 1.5 sezone.

Ndërkohë përpos mbrojtësit 23-vjeçar, Bylisi ka arritur që të gjejë akordin edhe me futbollistin argjentinas Marselo Gonzales, që më parë ka luajtur me Orikumin dhe është në një farë mënyre i ambientuar me futbollin shqiptar. Me këto afrime skuadra mallakastriote synon që të vazhdojë rrugëtimin në Superiore aty ku e kanë lënë, ndërsa klubi lë të kuptohet në njoftimin e tyre se të tjera transferime do të kryhen deri në fund të merkatos./Sport Ekspres/