Zyrtare/ Ftesa nga Shqipëria dhe prova e veçantë te Lacio, Guri Hana firmos në Gjermani

Guri Hana është një tjetër futbollist i ri për t’u marrë në konsideratë dhe për t’u pasur në vëmendje. Futbollisti 18-vjeçar ka arritur të firmosë për skuadrën e Hansa Luneburg, që gjendet në Kategorinë e katërt të Gjermanisë.

Një arritje mund të quhet kjo për Hanën, ndërsa më parë ka shkëlqyer te ekipi i 2 Korrikut në Kosovë. Ajo që nuk duhet të harrojmë është rasti i Klaus Gjasulës, që në një moshë shumë herë më të madhe sesa mbrojtësi në fjalë, do e niste nga kategoritë më të ulëta në Gjermani, ndërsa sot është kapiten i skuadrës që luan në Bundesligë.

Kështu edhe Hana që shquhet edhe për fizikun e tij ka një ardhme të ndritur përpara, pavarësisht kategorisë aktuale ku ka firmosur. Më herët ka marrë edhe ftesën e Shqipërisë U-19, ndërsa përfaqësonte Kosovën. Guri do të bënte prova edhe te skuadra e Lacios, megjithëse i shërbeu si një eksperiencë për t’u marrë në konsideratë për të ardhmen.

Nga kjo aventurë pak kohë më parë do të kishim edhe një rrëfim interesant të babait të këtij lojtari, Burim Hana për “Sport Ekspres”: ” Në atë kohë përveç disa shqipeve në ekip të parë, kishte 4-5 të tjerë tek të rinjtë. Kisha lezet të shikoja djalin në prova kur thërrisni lojtarët shqiptarë të tjerë që gjendeshin tek Lacio: “Futu, futu. Fort”. Pra po i jepnin kurajon me domethënien që mos e vrit mendjen, pasi jemi ne këtu. Shumica e tyre kishin lindur në Itali, por ama shqipen nuk e harronin”, do të shprehej Burimi. /Sport Ekspres/