Zyrtare/ Bylisi prezanton një ushtri, merr edhe Silvester Shkallën nga Teuta

Shumë emra lojtarësh të lidhur me skuadrën e Bylisit këtë merkato, por zyrtarizimet kanë munguar. Por ekipi ballshiot nuk mund të linte këtë muaj transferimesh të kalonte pa sjellë përforcime të reja në organikën e tyre. Kështu klubi mallakastriot ka zyrtarizuar ditën e sotme jo pak, por 5 transferime përnjëherë.

Lajmi vjen nga faqja zyrtare e Bylisit në “Facebook”, ku bëhen të ditur edhe emrat e futbollistëve që do të vihen nën urdhërat e trajnerit Dovedan për gjysmën e dytë të kampionatit. Dy lojtarët amerikano-jugorë Gonzales dhe De Paula Mercedez janë njoftuar pak ditë më parë, ndërsa bashkë me emrat e tyre renditen edhe ata të Aladin Sallakut, Vasil Zhongos dhe Silvester Shkallës./Sport Ekspres/