Zyrtare, Burreli e rinis nga Shahin Berberi

0

Administratori i klubit të Burrelit, Demir Çupi shprehet se trajneri i ri i skuadrës matjane do të jetë tekniku i njohur i futbollit Shahin Berberi. Sipas Çupit, ai ka pranuar të kontribuojë për ekipin e vendlindjes gjatë sezonit të ri futbollistik.

“Ne, kishim piketuar disa trajnerë, por përzgjodhëm si më të mirin Berberin. Ai është një specialist i mirëfilltë futbolli, njeh mirë këtë sport dhe në Burrel ka njohje të shumta me lojtarët e ekipeve të tjera. Madje, si drejtues është shumë kurajoz dhe mbi të gjitha ka ambicie”. Ndërkohë, kujtojmë që Shahin Berberi, ka qenë një lojtar që ka spikatur te Partizani, por ka luajtur trajnuar edhe skuadra si: Tërbuni, Kevitani, Olimpiku. Madje, ka ngjitur për herë të parë skuadrën e Kukësit, nga e para në Superiore. Eksperienca e madhe në trajnim, natyrisht që do e ndihmojë edhe skuadrën matjane në arritjen e rezultateve pozitive, ndërkohë që në varësi të merkatos, do të jenë edhe objektivat sezonalë.

GRUMBULLIMI – Çupi shton se me 21 korrik, skuadra do të grumbullohet për të nisur fazën përgatitore. Ai tha se do të njoftohen të gjithë lojtarët e kampionatit të kaluar, por priten edhe fytyra të reja. Afrimet e reja, do të jenë edhe njohje të trajnerit Berberi.

RROGAT – Në lidhje me pretendimet e lojtarëve për rrogat e prapambetura administratori saktësoi se: “Lojtarët kishin katër paga të pashlyera. Së bashku me Bashkinë Mat mundësuam likuidimin e tri pagave. Edhe paga e fundit do t’u jepet lojtarëve. Ne i ftojmë ato të rikthehen te skuadra jonë pasi gjithçka do të shkojë normalisht”, – tha administratori Çupi. Nëse futbollistët që ankohen për rrogat dhe kontratat nuk do t’i bashkohen skuadrës së Berberit, atëherë këtij të fundit i duhet të negociojë me lojtarë të skuadrave të tjera.

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here