Zyrtare/ Belgjika e para që merr vendimin, shpallet fituesi pa u mbyllur kampionati

Dilemës për vijimësinë e sezonit i ka dhënë fund Belgjika, duke qenë e para federatë që i jep zgjidhje përfundimtare kampionatit. Kështu elita belge njeh edhe fituesin e këtij sezoni, megjithëse i pa luajtur deri në fund. Vendimi ka ardhur duke marrë parasysh situatën e krijuar nga pandemia Covid-19, që ende vazhdon të përhapet me ritme të larta, ndërsa Federata Belge e Futbollit nuk e sheh të arsyeshme që të luhet sërish futboll pas datës 30 qershor.

Club Brugge do të rrëmbejë kështu titullin e 16 në historinë e vetë, teksa Belgjika ka vendosur që të ngrijë renditjen aktuale për të shpallur fituesin. Klubi i Brugge momentalisht është në krye të tabelës me 15 pikë diferencë nga ndjekësit e Gent, ndërsa ka mbetur vetëm një ndeshje për hyrë më pas në fazën tjetër të kampionatit, atë të play-off. Ndërkohë Ceferin e bëri të qartë më parë se kampion në tavolinë nuk do të kishte dhe se kampionati quhej i përfunduar kur të gjitha ndeshjet e planifikuara të luheshin, megjithatë në Belgjikë duket se nuk e kanë ndjekur këtë rrugë. /Sport Ekspres/