ZYRTARE/ Batha firmos për Flamurtarin!

Idriz Batha është zyrtarisht futbollist i Flamurtarit. Ashtu si kishte paralajmëruar mbrëmë SportEkspres, ish-mesfushori i Partizanit është paraqitur sot në Vlorë, ku ka takuar drejtuesit e Flamurtarit dhe ka firmosur kontratën që e bën “vlonjat” të paktën për sezonin e ardhshëm.

Ka qenë një verë plot probleme dhe ecejake për Bathën, sepse duhej të firmoste te Shkëndija pas largimit nga Partizani, por më pas nuk u bë gjë pasi drejtuesit e klubit tetovar ndërruan mendje.

Më pas Batha mori rrugën për në Greqi, por më pas Larisa bëri “numra”, duke anuluar gjithçka në mënyrë qesharake, duke nxjerrë si justifikim faktin që Batha kishte bërë një foto me gjestin e shqiponjës me duar dhe kjo do të acaronte tifozët grekë. Gjithashtu, Larisa nxirrte faktin se Batha merrte 4.000 euro në muaj te Partizani, por menaxheri i tij kishte gënjyer, duke dhënë një shifër më të lartë, për të përfituar kontratë më të mirë.

Gjithsesi, tani Batha lë pas gjithçka dhe bëhet pjesë e Flamurtarit, që bën një goditje të rëndësishme, sepse merr një ndër lojtarët më të mirë të Superiores.

26-vjeçari ka qenë pikë kyçe e Partizanit në 4 sezonet e fundit, ndërsa këtë verë përfundoi kontratën dhe u largua me parametër zero, një humbje e madhe për të kuqtë. Te Flamurtari Batha përforcon ndjeshëm mesfushën, ku sezonin e shkuar ishin lojtarë kyçë Useini e Sidibe, por nëse i pari ka firmosur, për Sidiben nuk dihet asgjë.

Ndërkaq, nga momenti në moment në Vlorë pritet të paraqitet trajneri Ilir Daja, i cili do të firmosë, do të prezantohet dhe do të nisë nga puna me skuadrën, që do të jetë nesër në fushë. Këto ditë pritet vendimi final për Muzakën, Osmanin, Radas dhe Micin: të katërt janë lojtarë të kërkuar nga trajneri Daja, të paktën 2 prej tyre do vishen kuqezi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *