Zvicra, “habitati” ideal i Sadikut

0

“Mbijetesa dhe 10 gola! Më pas, do të isha njeriu më i kënaqur për këtë sezon”. Armando Sadiku u prezantua kështu në konferencën për shtyp të dhënë si futbollist i Luganos, teksa pikërisht për t’ia “rrëmbyer” Zyrihut, edhe pse në huazim, presidenti Renxeti bëri të pamundurën, duke u mbështetur edhe te raportet e sulmuesit nga Elbasani me ish-ndihmësin e kombëtares së Shqipërisë, Paolo Tramexani. “Eja te Lugano dhe më jep një dorë”, i ka shkruar ish-futbollisti i Interit sulmuesit, duke i telefonuar të paktën mbi tre herë… Deri në “dritën jeshile” të ardhur nga presidenti i Zyrihut, që mori “Ok” edhe nga trajneri për një sulmues më pak, duke ditur se skuadra prestigjioze, në ligën e dytë, s’do të haste asnjë vështirësi për të blinduar vendin e parë.

Por, të kthehemi te historia e Sadikut dhe te premtim. Tashmë mbijetesa dhe 10 gola. E pra, deri tani, duket se ecuria e bomberit kuqezi është e frikshme. Tri gola në katër ndeshje dhe paraqitje gjithmonë e më shumë në rritje. Dhe, “nëse do të luante më shumë për skuadrën dhe më pak për vete”, për Paolo Tramexanin mund të ishte ideali… “Dua të ndihmoj ekipin me golat e mi, edhe pse s’mund të fsheh kënaqësinë sa herë e dërgoj topin në rrjetë. Jemi një skuadër e përbërë nga burra që luftojnë çdo javë”, tha ai pas ndeshjes, ndërsa presidenti Renxeti vazhdon që ta përkëdhelë vazhdimisht…

Numrat – Sadiku është në sezonin e tij të gjashtë në kampionatin zviceran, që kur në vitin 2010 vendosi të largohej nga Shqipëria pas një dënimi të marrë me Elbasanin dhe, më pas, faljen. Transferimi te Lokarno. Një realitet i ri, në kategorinë e dytë, aty ku Armando e kishte më të lehtë të rritej pa presione. Sezoni i parë solli 9 gola, por ishte i dyti ai që i dha mundësi të shpërthente dhe të dallohej në sytë e shumë skuadrave të tjera. Plot 19 gola në kampionat në 27 ndeshje të luajtura, ora më shumë se 1 gol për ndeshje. Nga Lokarno te Lugano, kalimi në një tjetër realitet, shumë më të madh, aty ku që në sezonin e parë realizoi 18 gola, 1 më pak se te sezoni më i mirë në Zvicër. Më pas, dëmtimi do të frenonte rritjen e tij, teksa do të realizonte vetëm 6 herë. Zyrihu do të paguante 500 mijë euro për ta siguruar nga Lugano dhe do të shpëtonte klubin e Renxetit nga vështirësitë ekonomike dhe rroga të prapambetura për të shlyer. Por, sulmuesi te Zyrihu hasi vështirësitë më të mëdha, duke mos u ambientuar fillimisht me trajnerin Hipia dhe më pas me drejtuesit e klubit. Sadiku kërkoi huazimin për të luajtur më shumë dhe transferimi te Vaduzi ishte i rëndësishëm në këtë aspekt. Te Vaduzi, pesë gola dhe 6 pikë që në fund do të ishin të çmuara për mbijetesën e skuadrës. Pikërisht asaj skuadre që sot ndodhet në vend të fundit në renditjen e kampionatit dhe që e kërkoi Sadikun, por pa mund ta bindë. Ndërsa, Armando është kthyer te Lugano, aty ku u bë i madh, duke rinisur nga golat, siç edhe e kishte lënë… Objektivi? Mbijetesa, por me bomberin kuqezi kjo gjë është mëse e lehtë.

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here