Zuka goditja e fundit, Duro mbyll merkaton e Flamurtarit

Lojtari i linjës së majtë ka lënë Shkupin dhe i është bashkuar “kolonisë” maqedonase te vlonjatët. Trajneri kryeqytetas e sheh të plotë skuadrën…

Elton Nika

Flamurtari mund të quhet pa frikë mbreti i merkatos dimërore, sepse ka vepruar me shpejtësi, ndryshe nga rivalët për kreun, duke afruar deri tani tre lojtarë dhe duke mbyllur praktikisht marrëveshjen edhe për lojtarin e katërt. Përforcimi i fundit i skuadrës vlonjate është Fisnik Zuka, që vjen nga skuadra e Shkupit. 22-vjeçari është një titullar fiks tek skuadra e Superligës maqedonase prej 3 sezonesh dhe natyrisht ka qenë trajneri Shpëtim Duro ai që ka vendosur, duke qenë një njohës i mirë i kampionatit të vendit fqinj, por duke njohur mirë edhe vlerën e futbollistëve në aspektin financiar.

Zuka luan në krahun e majtë të mbrojtjes, por edhe në mesfushë, ndërkohë që është vetëm 22 vjeç dhe kështu bëhet një alternativë e çmuar jo vetëm për sezonin aktual, por edhe një investim për të ardhmen tek vlonjatët. Më parë te Flamurtari janë konfirmuar Igor Nedeljkoviç, Muarem Muarem dhe Argjent Gafuri, të gjithë lojtarë me tipare ofensive, pasi ishte e qartë se kuqezinjtë kishin nevojë për më shumë fantazi e forcë goditëse. Mbrojtja ka qenë perfekte, më e mira në Shqipëri me pjesën e parë të sezonit, por Duro shton konkurrencën dhe tashmë merkatoja mund të quhet e mbyllur. Vetë trajneri kryeqytetas, për “Sport Ekspres” ka deklaruar shkurtimisht: “Po, Zuka do të jetë lojtari ynë. Ky është edhe afrimi i fundit për ne në merkato. Me këtë lëvizje ekipi është kompletuar dhe është gati për fazën përgatitore. Merkato për ne mund të konsiderohet e mbyllur. Sa i takon Zukës, ai do të prezantohet ditët e para të janarit”. Flamurtari pritet të grumbullohet më datë 3 janar në Vlorë dhe më pas do të zhvendoset në Turqi, ku do të zhvillohet faza përgatitore. Përfundimi i merkatos para nisjes së përgatitjeve është diçka shumë pozitive dhe stafi teknik do të ketë mundësinë të punojë i qetë dhe me mendjen te nisja e kampionatit.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *