Zllatko Daliç, fytyra e vërtetë e futbollit të sotëm shqiptar!

Eraldo Harlicaj 

Duket se më shumë se sa vetë kroatët për fitoret e ekipit të tyre, gëzojnë dinamovitët e Shqipërisë për trajnerin Zllatko Daliç. Protagonistët e kohës me Dinamon vrapojnë se kush e kush të shkruajë i pari ndonjë ndodhi me teknikun kroat. Të madhin, të thjeshtin, të jashtëzakonshmin, premtuesin e kohës, Zllatko Daliç. Si përfundim në shkrimet e tyre gjejmë orakullin, besimplotin dhe dashamirësin me trajnerin kroat, hiperbolizime që të ngjallin pak përzierje stomaku.

Realiteti është tjetër. Ishte korriku i vitit 2008. Një trajner i ri nga Kroacia vinte për të shpallur Dinamon kampion, njëfarë Zllatko Daliç. Ish-lojtar i njohur kroat dhe një karrierë e pasur. Si trajner, Dinamo ishte ndër eksperiencat e para serioze. Afrimi me bujë dhe pritshmëritë e larta. U pa me skepticizëm, u prit me dyshime dhe u largua sa më shpejt, pasi nuk ishte për pjacën “shqiptare”.

Realiteti shqiptar ishte i egër për teknikun Zllatko Daliç, pasi ky i fundit vinte nga një shkollë e pasur futbolli ku lojtari ishte “ushtar” dhe jo “gjeneral”. Ndryshe ndodhte në Shqipërinë e atyre viteve, kur futbollistët e kampionatit tonë kënaqeshin me pak dhe nuk donin stërvitje të fortë. Daliç kishte tjetër natyrë, i mbante miq para dhe pas stërvitjes, por kur ishte momenti për të zhvilluar seancën përgatitore i rreshtonte për një, i merrte maksimumin dhe i jepte maksimumin.

U sulmua, pasi prishi ekuilibrat mes lojtarëve. Futi meritokracinë në skuadër dhe nuk kishte senatorë që vendosnin se duhej vetëm kuadrat dhe një lojë në fund të seancës stërvitore. Nuk kishte më as barsoleta me presidentë që u jepnin të gatshëm formacionin trajnerëve, e këta të fundit binin në hall nëse i fuste presidenti 12 lojtarë.
Daliç e kuptoi shpejt si funksiononte, pa sulmet që i vinin nga të gjitha anët dhe u largua pas humbjes së derbit me Partizanin, vetëm me një trofe, Superkupën e Shqipërisë të fituar ndaj Vllaznisë.

Në fakt, Zllatko Daliç është fytyra e vërtetë e futbollit të sotëm shqiptar. Atij futbolli ku lojtarët janë dembelë dhe duan të marrin drejtimin e klubit, nuk kanë qejf trajnerët që “i marrin shpirtin”, pasi duan të shohin ndeshjet e mbrëmjes te llotoja e lagjes. Realiteti ky është, të mos fshihemi pas gishtit dhe boll me përrallat e Daliçit, pasi nuk ka patur një eksperiencë aq të këndshme në Shqipëri!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *