Zinedine Zidane, Miguel Muñoz i ri i Real Madridit

Flakrim Jusufi

Në ditën e debutimit të tij, 10 Janari të po këtij viti, Zinedine Zidane shënoi debutimin më të mirë të një trajneri Madrilen që nga viti 1959 pas fitores 5-0 ndaj Deportivo La Corunas në tempullin e futbollit, Santiago Bernabeu. 4 muaj e gjysëm më pas, Zizou fitoi La Undeciman si trajner i ekipit të parë pasi fitoi La Deciman si asistent i Ancelottit dhe La Novenan si futbollist. Të Martën e kaluar, 7 muaj që nga startimi i tij tek klubi me përgjegjësinë më të madhe sportive në planet, Zidane e bëri ekipin Madrilen Superkampion të Europës. Dhe, nëse gjithçka funksionin siç duhet, me 18 Dhjetor, 11 muaj pas manitas ndaj Deportivos, Real Madridi i Zinedine Zidane do të shpallet kampioni i botës për klube.

Të gjithë këto data, të gjithë këto numra rekord, të gjithë këto tituj që do e ngrinin në qiell çdo trajner, janë arritur pa dyshim me një ftohtësi dhe distancë të dukshme nga ana e trajnerit Madrilen, i vetëdijshëm që futbolli i sotshëm është i ndjeshëm dhe tifozët janë shumë kërkues. Stoli i Real Madridit është si froni i mbretërve më të mëdhenjë që kanë kaluar nëpër periudha të ndryshme të historisë. Ai të tërheq me të gjithë famën dhe privilegjet që të dhuron, por poashtu të djeg dhe të përvëlon në gabimin e parë që bën. Por Zinedine Zidane, njeriun të cilin dikush mori guximin t’a fyente dhe t’a akuzonte duke e quajtur ‘kukull’ të presidentit, ka lindur padyshim për të trajnuar Real Madridin sepse opinioni i publikut tek ai futet nga një vesh dhe del tek tjetri, ashtu siç edhe duhet të jetë.

Me 4 Janar të këtij viti, Florentino Perez shkarkoi Rafa Benitez. Përveç futbollit të turpshëm që zhvillonte skuadra, apo sanksioneve të ndryshme që morri, Rafa ishte pa dyshim kapiteni i një ‘Titaniku’, që dërgonte anijen e tij drejt fundosjes. Por, ky ‘Titanik’ nuk u fundos. Përkundrazi, shtërngoi velat, dhe vazhdoi të lundroje. Por me një tjetër kapiten në anije. Dhe ky kapiten, ndryshe nga paraardhësi i tij, besonte me të vërtetë se ishte i lindur për të drejtuar Real Madridin. Tjetri nuk e besoi kurrë, dhe u hodh në det.

Ka disa imazhe në Real Madrid TV që tregojnë reagimin e stolit pas golazos së Carvajal në Superkupë; të gjithë dalin nga stoli, përqafohen, vrapojnë, qeshin… përveç atij, teknikut Francez, që nuk bën as përpjekjen më të vogël për të festuar, kërkon mendje të ‘ftohtë’ nga lojtarët e tij dhe ri-organizon ekipin. Dhe nëse askush nuk e thotë, do e them unë: Vendimi i presidentit që anija të vazhdoje pa Benitez, aq shumë i kritikuar më parë, ishte vendimi i duhur. Është e mundëshme që Cristiano të jetë Di Stefano i tij por tek Zinedine Zidane më në fund ai mund të ketë gjetur Miguel Munozin e tij, për shumë vite që vijnë. Me të vetmin ndryshim, nga M.M në Z.Z.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *