Zidan: Jetoj për këtë finale, nuk jemi favoritë

Tekniku francez është gati të futet në librat e historisë, duke synuar për të tretin sezon radhazi Ligën e Kampioneve. Batuta me Klopin: Kam qenë lojtar më i mirë se ai

Trajneri i Realit të Madridit, Zinedin Zidan është shfaqur për herë të fundit para mediave para finales së Ligës së Kampioneve kundër Liverpulit. Tekniku francez është shfaqur si zakonisht në humor të mirë para finales dhe shpreson që në fund të gëzojë siç ndodhi në Milano përballë Atletikos dhe në Kardif përballë Juventusit. Trajneri i Realit ka analizuar Liverpulin dhe ka theksuar pikat kyçe që mund të vendosin fatin e finales.

Çelsi i suksesit të Realit – “Shumë punë. Sigurisht që për të qenë i suksesshëm duhet dhe talent, kjo është e sigurt. Por mbi të gjitha shumë punë. Të mbërrish në finale nuk është asnjëherë e lehtë. Këtë herë ka qenë dhe më e vështirë për ne, ndaj duhet të jemi të kënaqur që ndodhemi në finale.”

Tri Champions radhazi – “Ta shohësh kështu në plan të parë duket diçka shumë e bukur, e mrekullueshme. Unë jetoj për këto momente, jetoj me futbollin, ky është pasioni im. Gjithnjë jam mësuar të garoj dhe sfidat më pëlqejnë. Por prapa të gjithë këtyre sukseseve qëndron një punë e madhe, jo vetëm imja, por dhe e lojtarëve dhe e klubit.”

Gjendja e Kristianos – “Ronaldo në 150% të formës së tij? Edhe nëse do të ishte në 140% do të mjaftohesha (në sallë ka humor). Ronaldo gëzon një formë mjaft të mirë, ai jeton për ndeshje të tilla.”

Bejl-Benzema-Isko, njëri në stol – “Nuk duhet të mendojmë se kush do të jetë dhe kush nuk do të jetë. Isko e tha dhe vetë, se gështenjat i ha unë. Është e vërtetë, se ndonjëherë të duhet të marrësh vendime të rëndësishme dhe të dhimbshme njëherazi. Të tri lojtarët që më keni përmendur më lart janë njëlloj të mirë. Ka dhe të tjerë që nuk i kemi përmendur që janë gjithashtu të mirë. Por për fat të keq disa do të mbeten jashtë. Të gjithë ata që nuk do të luajnë do të mbeten disi të zhgënjyer, por kur të fillojë ndeshja, ata do të jenë njësh me ekipin. Ne jemi si ananasi, jemi një grup. Gjithnjë kështu do të ndodhë, disa do të ulen në stol. Por rëndësi ka që lojtari që do të ulet në stol mund të mbështesë ekipin.”

Finalja – “Nuk e di a do të vuaj kur do të fillojë ndeshja, por tani jam i qetë. Madje, do të thoja se jam i kënaqur, pasi po shijoj një tjetër finale.”

Reali favorit – “Nuk e shoh kështu. Mund të shkruhen e fliten shumë gjëra, por e dimë fare mirë se nuk është kështu kur vjen puna në finale. Kjo është një finale dhe të dy ekipet kemi shanse të barabarta për të fituar. As ne dhe as Liverpuli nuk jemi favoritë. Nëse duam të fitojmë, duhet të zhvillojmë një ndeshje të madhe.”

Zizu dhe Klop – “Si lojtar do të thoja se kam qenë pak më i mirë se ai. Si trajner kam shumë respekt për këtë zotëri që ka një eksperiencë të madhe. Ai ka bërë gjëra të mrekullueshme me futbollin e tij. Nuk mund të them se kemi ngjasi mes nesh, është një trajner i ndryshëm nga unë, por që e respektoj.”

Jeta në kaos – “Futbolli nuk është një kaos, futbolli është mjaft i thjeshtë, shumë i qetë. Në fushë janë dy ekipe dhe t’i duhet të kuptosh se ku mund të të dëmtojë rivali. Kur ke vetë topin, duhet të kuptosh se ku mund t’i bësh dëme rivalit. Përballë Liverpulit do të kemi momente ku do të na duhet të vuajmë. Shpresojmë që këto momente të jenë sa më të pakta.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *