Zhoao Feliks ndez shpresën, një mallkim për t’u thyer dhe e ardhmja

Zhoao Feliks është futbollisti i momentit në Portugali dhe jo vetëm. 19-vjeçari i Benfikës shënoi një trigolësh në fitoren 4-2 kundër Ajntrahtit të Frankfurtit. “Shqiponjat e Lisbonës” siguruan një fitore të madhe dhe janë shumë afër kualifikimit në gjysmëfinalet e Ligës së Europës.

Portugezi i talentuar po dhuron paraqitje fantastike, ka shënuar 14 gola në sezonin debutues me ekipin e parë dhe shumë klube të mëdha po e ndjekin nga afër. Në “Estadio Da Luz” ekziston një vend që i përket skautëve të klubeve të ndryshme.

Në ndeshjen e 29 janarit kundër Boavistës kishte shumë mysafirë. Përfaqësues të Barcelonës, Mançester Junajtid, Çelsit, Bajernit të Mynihut dhe Fejnordit shijuan nga tribunat trigolëshin e Feliks në fitoren 5-1 të vendasve.

Lojtari ka një kontratë me Benfikën deri në vitin 2023. Klubi i famshëm portugez do e ketë të pamundur ta mbajë “yllin” e ri deri atëherë, por drejtuesit kanë zgjidhur gjithçka. Klauzola e largimit të lojtarit ofensiv është 120 milionë euro.

Feliks është i papërmbajtshëm me topin në këmbë, ka vetëbesim dhe përjeton një ndjesi të veçantë kur e sheh duke luajtur. Eleganca dhe personaliteti nuk i mungojnë, ndërsa luan në të gjitha rolet e repartit ofensiv, madje i bën të gjitha shumë mirë.

Në Portugali janë të bindur për diçka. Zhoao është më i zhvilluar si lojtar sesa ishte Kristiano Ronaldo në moshën 19-vjeçare. Sulmuesi i Juventusit përfitoi gjatë muajit shkurt për të ndjekur në stadiumin e Sportingut të tij derbin kundër Benfikës.

Miqtë fituan 2-4, Feliks shënoi një gol, fitoi penalltinë e golit të katërt dhe u shpall lojtari i ndeshjes. “Futbollisti më i mirë portugez po luante në ‘Alvalade’. Ishte diçka e këndshme që Ronaldo kishte ardhur për ta parë nga afër”, bënte shaka pas ndeshjes Rui Gomes Da Silva, zv presidenti i Benfikës.

19-vjeçari luajti për herë të parë me ekipin e dytë të Benfikës në divizionin e dytë në moshën 16-vjeçare, duke u bërë kështu lojtari më i ri në historinë e futbollit luzitan që debuton dhe shënon gol.

Me ekipin U21 të Portugalisë debutoi pa i mbushur akoma 18 vjeç. Deri tani numëron 10 ndeshje, ndërsa ka shënuar katër gola. Fillimet si futbollist i pati te Porto, por shpërthimi i tij ndodhi te Benfika, aty ku u transferua në moshën 15-vjeçare. “Do doja të merrja një shkop prej druri dhe t’i godisja të gjithë ata, të cilët e lejuan të largohej”, është shprehur kohë më parë Rodolfo Reis, ish-kapiten i Portos.

Në vendin luzitan kanë shijuar shumë futbollistë të mëdhenj, por djaloshi i Benfikës është ndryshe. Të gjithë janë të bindur për potencialin e madh të lojtarit dhe ndihen të lumtur për rritjen dhe përmirësimin e tij të pabesueshëm. Tashmë ka mbetur debutimi me kombëtaren dhe transferimi në një klub të madh europian.

Tifozët e Benfikës e kanë të qartë se do i shijojnë edhe pak kohë nga afër magjitë e 19-vjeçarit. Megjithatë, ata kanë një ëndërr: duan të rikthehen te fitimi i trofeve në Europë dhe t’i japin fund mallkimit të Bela Gutman.

Kur u largua në vitin 1962 nga ekipi, pasi i kishte dhuruar 2 Liga Kampionesh, trajneri hungarez deklaroi: “Për plot 100 vite, duke filluar që tani, Benfika nuk do fitojë kurrë një trofe në Europë!”.

Diçka e tillë ka funksionuar deri më tani për fat të keq. Benfika ka arritur të dalë 8 herë në finale dhe i ka humbur të teta. Në finalen e Kupës së Kampioneve të vitit 1990 kundër Milanit, Eusebio shkoi te varri i trajnerit dhe iu lut që ta hiqte mallkimin. Kokëforti Gutman nuk ndryshoi mendje, Rajkard shënoi golin e fitores në finalen e Vienës dhe kuqezinjtë e Sakit festuan kupën me tifozët e tyre…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *