Zhgënjimi i Gjokës: Pjesa e dytë, gabime pa fund

Gjoka foli për rotacionin e djeshëm në Kupë dhe mundësinë e përmbysjes në takimin e kthimit në Loro Boriçi

Ernest Gjoka është mërzitur jo pak nga humbja 2-0 ndaj Tiranës në kupë. Kishte menduar e planifikuar që skuadra e tij të mos mundej, por disa gabime të vogla kanë prishur planet e tij. Pas ndeshjes trajneri i shkodranëve sqaroi përse kishte lënë jashtë një pjesë të titullarëve.

“Erdhëm për të bërë diçka ndryshe. Pjesa e parë ishte shumë e mirë. Pjesa e dytë ishte e keqe. Harruam detyrat dhe lamë shumë hapësira. Edhe te goli i parë dhe te goli i dytë bëmë gabime. U munduam të bëjmë tonën. Gjithsesi, ne do të kërkojmë kualifikimin në Shkodër. Në Loro Boriçi do të luajmë gjithçka. Futboll është. Edhe mund t”ia dalim”, është shprehur në fillim Ernest Gjoka.

Tiranasi e konsideron rezultatin të gënjeshtërt, sepse takimi nuk duhet të ishte mbyllur kështu, të paktën nga ajo që skuadra tregoi në fushë.

“Nuk ishte ndeshje për rezultat 0-2, por nuk ishim të disiplinuar taktikisht. Duhet të ishim më të vëmendshëm me detyrat. Kjo është shumë e rëndësishme, por ne nuk e bëmë dot një gjë të tillë. Ndeshjet e Kupës janë specifike. Nuk mund të hapeshim aq shumë. E rëndësishme ishte që të mos pësonim. Nuk funksionoi ky plan, tani duhet të mendojmë për përmbysjen”, tregoi trajneri i shkodranëve.

Gjoka foli edhe për rotacionin e djeshëm në Kupë dhe mundësinë e përmbysjes në takimin e kthimit.

“Disa lojtarë i kemi lënë jashtë, sepse kishin ngarkesë të lartë fizike. Nuk ia dilnin dot. Ishim të detyruar nga rrethanat e dëmtimeve, që ta bënim një zgjedhje të tillë. Laçi apo Tirana më e rëndësishme? Të gjithë ndeshjet janë njëlloj. Ne sot (dje) kemi menduar kështu, por në fund duam të arrijmë diçka të madhe. Përmbysja? Nuk është problem fare rezultati që kemi marrë. Nëse do ta duam atë kualifikim dhe nëse luajmë siç duhet, mund të përmbysim çdo rezultat. Në Tiranë luajtëm me një tjetër strategji. Në Shkodër, gjërat do të ndryshojnë. Tirana më pëlqeu është në një nivel tjetër edhe për Kategorinë e Parë. Gjithsesi, i uroj suksese Tiranës”, mbylli Ernest Gjoka.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *