Zhgënjim në Rrogozhinë, Egnatia s’thyen dot “bunkerin” dinamovit

Raste pa fund të shpërdoruara nga rrogozhinasit që pretenduan edhe për një 11- metërsh. Miqtë me qetësi olimpike morën një pikë të çmuar

 

Fatmir Efica

Dy pikë të lëna qe “djegin” mjaft për Egnatian. Ristarti i kampionatit, përkundër dëshirës për të arritur suksesin, nuk solli fitoren. Natyrisht përtej mosfinalizimit e mosshfrytëzimit si duhet të epërsisë totale që patën karshi Dinamos. As loja ofensive dhe as rastet pa fund të shpërdoruara nga Egnatia, nuk arrit të “thyhej bunkerin” dinamovit. Miqtë nga kryeqyteti me qetësinë olimpike karakteristike të tyre ja kanë dalë të fitojnë një pikë.

Ashtu thjesht, por me disiplinë të fortë në respektimin rigoroz të detyrave taktike Dinamo, falë edhe formës shumë të mirë të portierit Saraçi e luftës burrërore sportive të mbrojtësve por jo vetëm të tyre, ka ditur të ndalë rrebeshin e sulmeve të Egnatias, e bënë finishin e ndeshjes shumë elektrizues. Aq sa presidenti i Egnatias, Shqipërim Berisha u pa të dridhej fort nga emocionet. Por edhe duke e pritur me sportivitet gjithçka ndodhi në fushë. “Gabuam, gabuam shumë, por vetëm goli të jep ndjesinë e kënaqësisë e të gëzimit”, deklaroi z. Berisha për “Sport Ekspres”.

Në 45’ e para Egnatia e shpërnguli lojën e saj kryesisht në krahun e majtë ku janë dalluar Bakiasi e Okebuku. Ndërsa, te Dinamo veçmas portierit ra në sy loja e dyshen Marlind e Rei Nuri dhe klasi e teknika e veprimeve të Griseld Likës që ishte piketuar nga drejtuesit e Egnatias të “thithej” në merakton e këtij dimri, por që mbeti një “operacion” i pa plotësuar. Të pakta kanë qenë rastet e Dinamos. Një goditje me kokë nga Elmazi në 16’ dhe një gjuajtje nga distanca e M. Nuriut, ku topi i drejtuar për në rrjetë është devijuar nga mbrojtësi Nako.

Rrogozhinasit harxhuan pa fund energji për ta ruajtur e rritur vazhdimisht dominimin territorial dhe presionin konkret te zona e porta dinamovite, por pa qenë të qetë në finalizimin e kësaj loje. Me gjithë “freskimin” e radhëve në 45’ e dyta, tekniku Gjonaj udhëzoi vazhdimisht shtimin e presionit por goli kërkon edhe fat. Egnatia në 37’ ka pretenduar edhe për një 11-metërsh por që arbitri patosarak nuk ka qenë i këtij mendimi. Paqja e shifrave është një verdikt që nuk i shkoi ndoshta aq përshtat rrjedhës logjike të lojës që bënë ekipet, por respekti e korrektesa në fushë e jashtë saj ja shtuan edhe më vlerat kësaj ndeshje të përjetuar nga emocionet e mëdha si nga protagonistët e fushës, ashtu dhe nga tërë të pranishmit në tribuna e zonën “VIP”.       

Pas ndeshjes…

Vladimir Gjonaj, trajneri i Egnatias: “Bëmë gjithçka për të fituar, por fati nuk qe me ne. Krijuam volum të madh loje, qarkulluam dendur topin, ndërmorëm shumë aksione e humbëm raste pa fund. Më vjen keq për pikët e lëna dhe që nuk arritëm të gëzojmë sportdashësit tanë që na kanë mbështetur fort. Ndikoi në momentet e fundit mospërfshirja në formacion për shkak të gjendjes jo të mirë shëndetësore e qendërsulmuesit Agbodike”.

Igli Allmuça, trajneri i Dinamos: “Morëm një pikë që na ndihmon në lidhje me pretendimin tonë për tu përfshirë në pesëshen e parë. Vuajtëm me terrenin në Rrogozhinë edhe prej gjendjes jo të mirë por dhe për faktin se ne stërvitemi dhe luajmë në Pezë në fushë me bar sintetik. Ruajtëm qetësinë e përqendrimin dhe ekipi diti të zmbrapsë me sukses epërsinë nga aksionet e sulmet e Egnatias që sidomos në fundin e ndeshjes u dendësuan. Dinamo kështu i merr pikët duke i lënë me gusht në gojë kundërshtarët. Ne kemi pasur si përforcim vetëm Marlind Nuriun në këtë periudhë”.

EGNATIA – DINAMO 0-0

EGNATIA: Haremi, Rexhepi, Vogli, Nako, Bakiasi, Okebuku, Baze (72’ Dosti), Baholli (81’ Gjyla), Anthoni, Melani (72’ Selimaj), Mile. (Në dispozicion: Birja, Topi, Doçi, Agbodike). Trajner: V. Gjonaj.

DINAMO: Saraçi, M. Nuriu (86’ Tragaj), Muça, Elmazi (63’ Hasa), Gjata, Il. Allmuça, Peqini, Doksani, R. Nuriu, Lika (88’ Shaba), Çema. (Në dispozicion: Hoxha, Sulejmanaj, Myslimi, Koçi). Trajner: Ig. Allmuça.

GJYQTARË: O. Ferataj, E. Pashaj, N. Rapaj (Patos)

KARTONË TË VERDHË: Vogli 31’ / R. Peqini 35’, M. Nuriu 76’, Hasa 82’

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *