Zhgënjim në Krujë: “Provë për një vend në ekip”

Janë të shumtë futbollistët që dëshirojnë që ta vazhdojnë karrierën te Kastrioti, por duket e vështirë të paktën për futbollistët që nuk u është ofruar ndonjë mundësi nga stafi teknik. Njëri prej tyre është edhe nigeriani Dunmoje Kabiru me të cilin nuk dihet ende çfarë do të ndodhë në sezonin e ri. Nigeriani është prej dy sezonesh pjesë e Kastriotit dhe në 33 ndeshje të zhvilluara me fanellën krutane ka arritur të shënojë 13 gola në total. Megjithatë duket se krutanët janë në mëdyshje për sulmuesin fati i të cilit ende nuk dihet, dhe e vetmja shpresë për të vazhduar në Krujë mund të jetë prova dy javore që stafi teknik ka programuar, përgatitje që do të nisin duke filluar nga dita e hënë. Krahas nigerianit, janë edhe shumë futbollistë të tjerë që nuk u dihet fati, edhe pse janë kontribuues në ngjitjen e skuadrës në Superiore, pasi janë aktivizuar në shumicën e ndeshjeve sezonin e shkuar, duke kontribuar jo pak në realizimin e objektivit. Mirëpo ende janë në pritje të ndonjë telefonate, edhe pse klubi e ka bërë të qartë qëndrimin e tij, duke deklaruar se “kush nuk ka marrë ofertë rinovimi, do të duhet që të kalojë edhe njëherë në provë”.

Bujar Balliu

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *