Zhgënjen Shqipëria e femrave, leksion nga austriaket

Gjergj Vyshka

Shqipëri – Austri 0-3

(18-25, 17-25, 21-25)

Shqipëria: Bici, E.Tuci, Marina, Ar.Prenga, Thaka, Sejfullai (L), Am.Prenga/Xheka, Rexhepi, M.Tuci Trajner: A.Martiri

Austria: Holzer, Kristianska, Maros, Markoviç, Shmit, Nesimoviç, Valner (L) Trajner: S.Iliç

Gjyqtarë: A.Emirou (Turqi), E.Zguri (Shqipëri)

Asistentë: A.Nurja, K.Tota, L.Nurçe, E.Papamihali (Shqipëri)

Zhgënjen Shqipëria e volejbollit të femra, që, pas fitores të së dielës në Tbilisi ndaj Gjeorgjisë vendëse, ndaj Austrisë pritej të bënte një tjetër sukses. Aq më shumë që sezonin e kaluar ne kishim fituar me to në Ligën e Evropës, 3-1, ndërsa me të njëjtën “monedhë” do të na kundërpërgjigjeshin në Bjellorusi. Fitorja ndaj Gjeorgjisë, por dhe ajo çka demonstron prej tre vjetësh ky ekip ka mbushur dhe sallën olimpike “Feti Borova”. Madje jo vetëm tifozë, por dhe drejtues si presidenti i KOKSH, Viron Bezhani, sekretari i përgjithshëm i KOKSH, Stavri Bello, drejtori i burimeve njerëzore në Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Vladimir Gjonaj. Nuk kanë munguar as specialistët e rrjetës, mbi të gjitha legjenda e volejbollit dinamovit të meshkujve, Vangjel Koja. Por e djeshmja ishte një Jo e madhe për tonat. Mjafton një bllokim i Bicit dhe skuadra ka dalë tërësisht jashtë loje. Përtej përpjekjeve të Amarilda dhe Ariola Prengës, e gjithë pjesa tjetër ka qenë zhgënjyese. Dhe kur dhe ndërrimet nga stoli i rezervave nuk premtojnë do të thotë që kjo kombëtare “laj, thaj e vish” ka vetëm tetë lojtare. Të gjithë të tjerat, të paaktivizuara nga Martiri, duket si një “garniturë”, që në fakt nuk i shërben asaj që është në “pjatë”. Sigurisht që është vetëm ndeshja e dytë, por Austria na i paska mësuar huqet. Iliç e kishte parë me laps në dorë skuadrën dhe për rrjedhojë me një Shmit në organizim perfekt, që ka bërë shpërndarje jo vetëm tek Markoviç, por dhe Holzer, Kristianka, Nesimoviç, Marosh, pa harruar dhe lojtaren e lirë Valner, arrin të fitojë pastër 3-0. Mos harrojmë që do ta kemi dhe në kualifikueset e kampionatit Evropian në gusht e nëse do të jemi kështu përsëri kemi për të parë të njëjtën paraqitje si dje.

Ndeshja

Përtej pikëve të para të ekuilibruar, shpejt Austria vihet në udhëheqje të rezultatit 12-15, 15-19 dhe në fund e merr setin e parë 18-25. Tonat nuk reagojnë. Bici nuk është në formë as në shërbim, por as në gjuajtjet në pozicionin dy dhe katër. Për rrjedhojë Austria në setin e dytë është shkëputur 0-4, 4-10 dhe në fund 17-25. E njëjta situatë në setin e tretë; 9-13, 13-18 dhe përfundimisht 21-25. Të shtunën do të jemi përballë Izraelit në transfertë me shpresën se do të kemi kthesë në rezultate. Lojtarja më e mirë e ndeshjes ishte Nikolina Maros e Austrisë me 16 pikë, kurse te ne Ariola Prenga me 11 pikë. Në bllok janë dalluar Holzer dhe Marosh të Austrisë me tre të tilla, kurse në shërbim është Arjola Prenga me tre ndjekur nga Erblira Bici me dy, si dhe Maros dhe Shmit tek Austria me dy. Në total një ndeshje jo e mirë, me shpresën se të shtunën do të bëjmë kthesën.

Trajneri i Shqipërisë

Martiri: Kjo ishte ndeshja më e dobët e jona…

Trajneri i Shqipërisë në volejboll për femra, Altin Martiri, ka pranuar se kjo ka qenë ndeshja më e dobët e kombëtares që nga momenti që ai e drejton. “Ndoshta nuk ka qenë dita jonë më e mirë. Kaq shumë gabime që kemi bërë në mbrojtje nuk i kemi bërë ndonjëherë. Ndaj më duhet të them se ka qenë ndeshja më e dobët. Bici është lojtarja kryesore, por nuk ishte vetëm ajo problem, ishte e gjithë skuadra. Ndoshta na i di huqet Austria, por jemi ne ato që i kemi dhuruar më shumë. Në Izrael do të shkojmë për fitore, edhe sepse duket se kemi shansin për të qenë të suksesshëm në transfertë”.

Trajneria e Austrisë

Iliç: Shqipëria mbetet kundërshtar i fortë…

Svetllana Iliç, trajnerja e Austrisë në volejboll për femra, edhe pse ka fituar në sallën sportive “Feti Borova” përsëri beson se Shqipëria është kundërshtar i fortë. “Normalisht ne jemi kundërshtar të vjetër me njëri-tjetrin dhe si të thuash njihemi. Por duket se ishte dita jonë dhe ne kishim ardhur me besimin për të fituar. Sigurisht që nuk ishte e lehtë. Por ia dolëm. Kemi një tjetër ndeshje me Gjeorgjinë, që duhet ta fitojmë, ndonëse nuk do të jetë e lehtë, sepse udhëtimet e shpeshta, apo dhe ngjeshja e ndeshjeve ndikon dhe në formën fizike të lojtareve. Por besoj se do t’ia dalim”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *