Zhgënjen Flamurtari, start me humbje në Champions

Vlonjatët janë munduar deri në fund, kanë shkurtuar, por pa arritur asnjëherë të kalonin në avantazh ndaj estonezëve

Narva ka rezultuar një kockë e fortë për Flamurtarin e futsallës. Kampionët e Shqipërisë marrin pjesë në Futsal Cup për të disatën herë dhe kanë krijuar jo pak eksperiencë, por dje kanë zhgënjyer. Në letër, skuadra vlonjate ishte superiore dhe kishte edhe një koeficient goxha më të lartë se rivalët estonezë. Në Mostar synimi ishte lufta për kreun e grupit, ku Mostari vendas ishte favoriti dhe ndaj tij do të luhej finalja, më 26 gusht. Megjithatë, ëndrra vlonjate mori një goditje të fortë që mbrëmë dhe tani vetëm një mrekulli e kualifikon.  

NDESHJA – Asnjë gol në 19 minuta, edhe pse Flamurtari krijoi lojë e raste. Pas 19 minutash, estonezët gjetën golin e avantazhit dhe dy minuta më vonë edhe golin e dytë. Në minutën e 29-të Akulenko shënoi edhe golin e tretë estonez dhe u duk se mbaroi aty. Gjithsesi, Kaca shkurtoi brenda pak sekondash, por në të 32-tën sërish Bader, autori i golit të parë, shënoi golin e katërt për estonezët. Shpresat vlonjate u shuan, por kishte ende kohë për gola, sepse Guna dhe Gurzakoviç shënuan të dy në minutën e fundit, duke ia bërë më pak të hidhur humbjen Flamurtarit.

SFIDA E RADHËS – Sot Flamurtari luan kundër Arnavutkoj dhe është e qartë që fitorja është detyrim. Arnavutkoj u mund dje nga Mostari dhe duket qartë që nuk ka shumë shanse tashmë, ndaj sot është një betejë, ku fituesi qëndron ende në garë, matematikisht. Flamurtari duhet të fitojë me çdo kusht, para se të mendojë për finalen e madhe, kundër Mostarit vendas, në datën 26. E vështirë, duke parë që humbja ndaj skuadrës më të dobët në grup ka evidentuar probleme të mëdha mbrojtëse, por duhet shpresuar.

Flamurtari – Narva 3-4

Shënues: Kaca 29:57, Guna 39:06, Gurzakoviç 39:56 / Bader 19:54, 32:48, Bostrov 21:27, Akulenko 29:05

Formacionet

Flamurtari: Rrapi, Kaca, K. Kalus, Qopekaj, Gurzakoviç/ Xhyheri, Katira, Gokaj, Guna, Veizaj. Trajner: Mario Kalus

Narva: Smelkov, Akulenko, Bader, Bostrov, Fedorov / Gorbunov, Medvedev, Vedehhov, Panteleev, Osmanov, Jegorov, Kutuzov, Shilkov. Trajner: Aleksandr Dmitrijev

Gjyqtar: Migel Castiljo (Portugali)

 

RENDITJA/ GRUPI E

Skuadra           Nd.         Pikë

FC Mostar        1             3

FC Narva         1             3

KF Flamurtari   1             0

Arnavutköy      1             0

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *