Zguro mund të ndjekë Bakajn në Bjellorusi

Mbojtësi i krahut të majtë merr ofertë nga klubi i Bjellorusisë, Torpedo Zhodino. 25-vjeçari mund të bëjë kapërcimin e madh në karrierë

Jeta është e çuditshme, pasi mund të ndryshojë me 360 gradë sa hap e mbyll sytë. E njëjta gjë mund të thuhet dhe për mbrojtësin e Kamzës, Vangjel Zguro. Katapultimet e tij brenda një viti kanë qenë të jashtëzakonshme, pasi karriera e tij ka marrë vetëm për lart. Ai verën e vitit të kaluar provoi për herë të parë emocionet e Superiores. Korabi e bindi futbollistin e linjës së krahut të majta t’u bashkohej në Superiore. Zguro debutoi me fanellën e dibranëve në Superiore dhe arriti të linte përshtypje të mira. Kalimi nga Pogradeci te Korabi ishte lëvizja e duhur, pasi tashmë 25-vjeçari ishte futur në pjacën e ekipeve të Superiores.

Pas mbarimit të sezonit, Luftëtari i sapo ngjitur në Superiore e afruan në ekip. Bluzinjtë e kishin pikasur që kur ishte pjesë e Pogradecit. Lojtari nuk hezitoi dhe pranoi menjëherë që t’i bashkohej ekipit gjirokastrite. Ai u kthye në lojtar të rëndësishëm dhe me ta përgjatë një viti bëri paraqitje të mira. Emri i tij ishte kthyer në një nga futbollistët më të lakuar në merkato. Mbrojtës të krahut të majtë në Superiore, numërohen me gishtat e njërës dorë, prandaj dhe Zguro ra lehtë në sy.

Lojtari ishte në pjacë dhe në janar, pasi ishte Partizani që i bëri një ofertë dhe lojtari prishi kontratën me Luftëtarin. Në fund, futbollisti u tradhtua nga të kuqtë dhe u la “në rrugë”. Mes Vllaznisë dhe Kamzës që e kërkonin ai zgjodhi këta të fundit dhe është aktivizuar si titullar me ekipin e Ndreut. Ka bërë mirë, nuk ka bërë keq, pavarësisht se së fundmi ka patur një përplasje me drejtuesit e Kamzës për shkak të penalltisë së shkaktuar me Flamurtarin. Ai ishte i pezulluar për ndeshjen kundër Laçit, por tani është kthyer në dispozicion.

OFERTA – Përformancat e mira kanë bërë që në drejtim të Vangjel Zguros të mbërrijë një ofertë nga jashtë. Eduasportin shkruan se mbrojtësi ka marrë një ofertë nga ekipi i Torpedo Zhodino. Skuadër kjo që merr pjesë në kampionatin Bjellorus të futbollit. Oferta ka qenë zyrtare për të, por Kamza nuk ka ndërmend të heqë dorë nga shërbimet e tij dhe deri në verë Zguro është e sigurt që nuk lëviz. Oferta për të duket se ka hapur një trend të ri në Superiore, pasi ekipet bjelloruse kanë hedhur sytë nga kampionati ynë. Në janar ishte Shakhter Soligorski që ofroi një shifër të mirë për shërbimet e sulmuesit Elis Bakaj, rreth 120 mijë dollarë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *