Zgjidhja e problemeve të klubeve shqiptare, Koço Kokëdhima jep modelin ideal

0

Presidenti i Apolonisë, Koço Kokëdhima ka folur për “Telesport” dhe prek punën që po bëhet tek Apolonia, modelin që ndjek klubi, krahasimin me Gjicin dhe talentet që po rriten në Fier.

KRAHASIMI ME GJICIN – “Nuk dua të flas për modelet e të tjerëve. Nuk kam informacion si është i organizuar Kukësi dhe as për financat e këtij klubi. Unë e vlerësoj për rezultatet sportive, sepse Kukësi ka vite që është në majën e futbollit shqiptar dhe meriton përgëzime. Megjithatë, ne kemi politikë tjetër, politika jonë është realiste dhe nuk bazohet në planifikime që nuk justifikohen as me të ardhura dhe as me rezultate. Duke qëndruar në binarë realistë, me bilanc të balancuar, krejtësisht transparent me shtetin, të bazuar në detyrime fiskale, tatimore, kontraktore e ligjore, klubi ynë është shumë i qëndrueshëm, duke pasur mundësinë të promovojë vlera dhe të ndërtojë karriera.

Në këtë aspekt, ndryshimi më i madh i Apolonisë nga klubet e tjera është se Apolonia është pa dyshim shkolla më e mirë e futbollit që ka sot Shqipëria, gjë që duket nga lojtarët që janë promovuar në tregjet e zhvilluara të futbollit, apo në tregun e brendshëm. Edhe aktualisht kemi shumë talente që besojmë se do të lënë gjurmë në futbollin tonë në të ardhmen. Apolonia do vazhdojë në këtë mënyrë, nëse sot stërvitim 250 lojtarë, synimi është që vitin e ardhshëm të stërvitim 500 lojtarë. Apolonia investon më shumë në teknologji, infrastrukturë dhe trajnim, sesa në paga lojtarësh, sepse duam të rritim djemtë e vendit dhe lojtarët e Akademisë tonë. Jo rastësisht pjesa dërmuese e lojtarëve të ekipit të parë të Apolonisë vinë nga Akademia jonë e futbollit.

PROBLEMET NË SUPERIORE – “Në përgjithësi, futbolli shqiptar është rritur shumë këto vitet e fundit dhe FSHF ka merita, sepse nga një federatë shumë e varfër dha pa kapacitete është shndërruar në një institucion i pasur, që ka punuar shumë edhe në aspektin e infrastrukturës dhe në shumë drejtime të tjera. Megjithatë, janë pjekur kushtet që futbolli shqiptar të reformohet rrënjësisht, me qëllim që ai të mos jetë futboll i klubeve piramidale. Duhet seriozitet, në çdo drejtim, pasi përndryshe bëjmë vetëm dëme dhe nuk prodhojmë asgjë. Duhen marrë masa urgjente, që loja të jetë më e pastër dhe cilësore dhe që klubet të jenë solide në aspektin financiar dhe të trajtohen të gjithë njësoj.

Problemi që ngrini ju është real dhe serioz. Kjo reformë duhet bërë në mënyrë urgjente, pasi nëse disa klube kanë probleme dhe u largohen lojtarët, apo luajnë mes gjyqesh dhe nuk licencohen dot për kupat e Europës, domethënë se kemi një shtrembërim të garës. Disa luajnë dhe punojnë duke qenë korrektë, ndërsa disa të tjerë thjesht zvarriten deri në mbyllje të sezonit, duke shpresuar që FSHF të mos i dënojë apo përjashtojë”.

TALENTET TE APOLONIA – “Aktualisht tek Apolonia kemi tre grupe lojtarësh të rinj shumë të talentuar. Grupi i parë janë 22 vjeçarët Buzi, Andoni dhe Prifti. Këta luajnë shumë bukur krahas lojtarëve të formuar e të pjekur Hysenshahaj, Nako dhe Çako që luajnë dhe mbajnë peshë të madhe te skuadra jonë. Grupi i dytë janë tre 18-vjeçarë të formacionit bazë Omeri, Zogaj dhe Gjata. Grupi i tretë përbëhet nga lojtarët 19-20 vjeçarë Mihana, Memeti, Sota dhe Harizi. Janë katër lojtarë fantastikë. Njëri më i mirë se tjetri. Mund të luajnë titullarë në çdo ekip të Superiores.

Redon Mihana, është një lojtar i shkëlqyer dhe shumë interesant. Ka qenë i dëmtuar për pak kohë, por tashmë ka rigjetur formën e plotë dhe është kthyer në fushë. Është shumë premtues, do të keni mundësi ta shihni edhe në vazhdim. Mendoj se bëhet fjalë për një talent që do të lërë gjurmë në futbollin tonë dhe nëse ndodh, është diçka që do të na gëzonte shumë, pasi do të konfirmonte punën e mirë që po bëhet tek Apolonia me këta talente. E rëndësishme është që këta futbollistë të rriten gradualisht, t’i hedhin hapat një nga një, derisa të arrijnë maksimumin e vet dhe të ndihmojnë klubet ku do të luajnë, por edhe veten.

Për punën e jashtëzakonshme që bëhet me këta talente të veçantë dua të përgëzoj trajnerët e Apolonisë. Ata janë vërtet skuadra më e madhe e KLUBIT dhe Akademisë tonë.

DUKA – “Kam pasur besim se zoti Duka do e fitonte vendin në këtë organ kaq prestigjioz dhe të rëndësishëm. Ai e meritonte. Ka bërë shumë për futbollin. Zgjedhja e Dukës është një ngjarje historike për futbollin Shqiptar. Është vërtet shumë e rëndësishme për Shqipërinë. E kam inkurajuar të konkurrojë dhe jam i lumtur që ia doli”.

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.