Zgjidhet presidenti më i ri i historisë së Interit, Zhang vjen me dhurata

Stiven Zhang është presidenti i 21 i Interit dhe më i riu i historisë zikaltër, i cili ulet në këtë post (26 vjeç). Djali i manjatit kinez Zhang Jindong, i cili zotëron grupin Suning, do të zgjidhet sot në postin e presidentit nga Asambleja e Përgjithshme e klubit zikaltër. Merr fund aventura pesë vjeçare e Erik Tohir, i cili zotëron akoma 31% të aksioneve të klubit nga Milano.

Me uljen e Zhang në postin e presidentit, mbetet vetëm konfirmimi i kalimit të Xhusepe Marotës tek Interi. Pasi ndihmoi Andrea Anjelin të rritej dhe të mësonte sa më shumë për futbollin, ish-drejtuesi i Juventusit do të bëjë të njëjtën gjë me 26-vjeçarin e Interit.

Zhang, i cili kërkon t’i japë një nxitje projekteve ambicioze të grupit Suning, ka shfaqur lumturinë e tij në rrjetet sociale për detyrën e re. Ai ka postuar një foto të Interit dhe një tjetër të tunelit të stadiumit “San Siro”, duke shkruar dhe datën e sotme, 26 tetor 2018. Një datë e rëndësishme dhe e paharrueshme për Zhang, i cili është gati për të nisur detyrën e re në klubin italian me qëllimin dhe ambicien e madhe për të dërguar Interin në majat e futbollit botëror.

Kur i mbyll sytë, shoh një qytet plot histori dhe akoma më shumë për t’u shkruar. Njerëzit me ide dhe me qëllimin për të përmirësuar çfarë i rrethon dhe ata vetë. Një klub që luan përtej fushave të blerta për të fituar zemrën e çdokujt. Pastaj hap sytë dhe shoh që e gjitha kjo gjendet këtu. Unë jam gati, po ju?“, janë fjalët e zgjedhura nga Stiven Zhang në videon e postuar në faqen zyrtare të Interit në “Twitter”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *