Zgjedhja e Shqipërisë, dedikimi dhe Ronaldo: rrëfehet gjiganti Broja

Armando Broja është një emër që mund të lërë shenjë me fanellën e Shqipërisë. Sulmuesi shtatlartë i Çelsit po përjeton një moment shumë të mirë, teksa në pak ditë ka arritur të shënojë pesë gola. Fillimisht ishte nën urdhrat e trajnerit Nevil Dede te Shqipëria U19 dhe në dy takime i realizoi tre herë Kosovës, kurse një ditë më parë, në debutimin e tij me Shqipërinë U21, shënoi dygolësh ndaj Uellsit në miqësore. Më mirë nuk bëhej.

“Kemi luajtur mirë, kemi lëvizur mirë, por dua të them se i gjithë ekipi ka bërë mirë”, thotë mes të tjerash Broja. Nuk dëshiron të marrë të gjitha meritat, por është i kënaqur. Nuk e ka të lehtë të shprehet, teksa ndonjë pyetje edhe nuk e kupton mirë. A e kishte pritur një debutim të tillë me Shpresat? Përgjigja e tij është e qartë.

“Jo, jo. E dini, unë vetëm punoj fort dhe kur më jepen shanset mendoj vetëm t’i shfrytëzoj. Për mendimin tim i shfrytëzova këtë herë dhe jam shumë i kënaqur. Gjithashtu jam shumë i kënaqur edhe se më thirrën te Shqipëria U21 dhe më aktivizuan 45 minuta, sikurse  edhe për dy golat që realizova”, shton sulmuesi shtatlartë.

SHPRESAT – Broja tregon se ka shumë diferencë mes Shqipërisë U19 dhe asaj U21, ndërkohë që veçon Kallakun nga Shpresat. “Këtu janë shumë më të fortë, më të gjatë. Në këto ndeshje duhet të kërkosh më shumë, pasi janë më të mëdhenj. Ka shumë diferenca. Kur hyra në fusha ishte më mirë. Topi luhet më shpejt. Kallaku tek ekipi ynë është nga ata që mund të bëjnë diferencën, duket lojtar i mirë. Ka disa driblime të mira, lëviz topin shpejt dhe duket një lojtar shumë i mirë”, shprehet futbollisti i Çelsit.

ÇELSI DHE RONALDO – Sulmuesi ka provuar të stërvitet me “Blutë” e Londrës, por ende nuk ka luajtur me ekipin e parë. Broja ka edhe një idhull dhe është Ronaldo fenomeni. “Jam stërvitur me ekipin e parë disa herë, por akoma nuk kam luajtur ndeshje. Po pres, duhet të jem me këmbë në tokë dhe të vazhdoj stërvitem mirë”.

“Idhulli? Ronaldo, braziliani, fenomeni. E kam qejf, pasi ka qenë i shpejtë, i fortë, i mirë me kokë, godiste me të dyja këmbët. Ashtu dëshiroj të jem edhe unë. Gjatësia nuk më pengon të jem i shpejtë. Atje, në Angli, jam stërvitur shumë për sprinte. Prandaj jam edhe shumë i shpejtë”, u shpreh Broja.

https://www.instagram.com/p/Buwl_SjgXnv/?utm_source=ig_web_copy_link

FTESA E SHQIPËRISË – Sulmuesi, në momentin e parë që Shqipëria e ka ftuar, ka pranuar të veshë fanellën kuqezi. “Më ka thirrur Shqipëria e para, edhe thashë po vij pasi mami e babi im jetojnë këtu, kanë lindur këtu. Thashë po vij me Shqipërinë se këtu më kanë lindur prindërit, këtu është vendi ku kam gjakun. Thashë ta provoj me Shqipërinë”, shprehet sulmuesi, i cili në shtator mbush 18 vjeç.

DEDIKIMI – Në momentet kur shënoi, babai i Armandos dukej shumë i lumtur. Gjithsesi sulmuesi këtë herë golat i ka për mamanë e tij. “(Qesh) I pashë familjarët e mi që ishin në stadium dhe janë shumë të kënaqur. Babi më tha të lumtë, por pastaj më ngacmoi: ‘ku ishte ai goli i tretë?!”. Normalisht unë qesha. E gjithë familja është gëzuar. Golat ia dedikoj mamit. Nuk erdhi në stadium, por për të i kam bërë golat. Të dy. Herë tjetër, të martën, ndonjë gol për babin”, përfundon duke qeshur deklaratën e tij sulmuesi Armando Broja.

VLADIMIR PRENGA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *