Zgedhje befasuese, Ze Maria lë jashtë Turtullin

Sulmuesi mund ta bëjë pushim, ndërsa mbrojtësi nuk grumbullohet dhe flitet për mosmarrëveshje me stafin teknik

Olsi Avdiaj

Majkëll Ngo e Marvin Turtulli janë dy “të sakrifikuarit” e radhës të trajnerit Ze Maria në sfidën e së dielës me Pogradecin. Edhe pse sulmuesi dhe mbrojtësi janë “shtylla” të vërteta të skuadrës, dhe këtë e themi me kuptimin e plotë të fjalës, kjo nuk i mbush mendjen trajnerit Ze Maria, që pritet të aktivizojë në Pogradec në vend të Turtullit njërin prej Muhamedit, Bishës dhe Cakes, duke habitur jo pak. E njëjta situatë edhe me Ngonë, që rrezikon të mos luajë. Veprime këto të trajnerit, që nuk kanë asnjë shpjegim logjik dhe teknik, për më tepër që dy lojtarët, sapo kanë bërë një javë pushim.

Turtulli – Zyrtarisht ka pasur një problem të vogël fizik, ndonëse në fushë dje mbrojtësi është stërvitur në maksimumin e mundshëm. Por ajo që habit të gjithë është fakti se Ze Maria me shumë gjasa nuk do ta marrë fare në Pogradec, duke lënë pushim mbrojtësin kryesor të ekipit. Në fakt, Marvini javën e shkuar nuk luajti për shkak të kartonëve, por këtë javë pritej kthimi në formacion dhe vendimi i trajnerit Ze Maria duket anormal. Në fillim u tha që ka një shqetësim të vogël, por Turtulli është stërvitur normalisht dhe është në “top-formë”. Pra, bie poshtë aludimi për një dëmtim. Cila është e vërteta në këtë rast? Ndoshta trajneri Ze Maria kërkon të favorizojë lojtarë të tjerë për të luajtur në mbrojtje, duke sakrifikuar njërin nga shqiptarët, por flitet edhe për një fërkim mes Turtullit e një prej anëtarëve të stafit teknik. Vetëm dy-tri javë më parë, për mungesën në Kukës, Ze Maria shprehej se Turtulli është qendërmbrojtësi i pazëvendësueshëm i skuadrës. Tani braziliani Ze Maria as që e grumbullon dhe bën çudi fakti që lihet jashtë një titullar dhe për më tepër lojtar në moshë të re, që klubi i sheh si investime. Për statistikë, Tirana me Marvin Turtullin në qendër të mbrojtjes nuk është mundur asnjë ndeshje. Ka rreth 1000 minuta në kampionat dhe nëse nuk do të mungonte në disa takime për dëmtim dhe atë të pezullimit, Turtulli do të ishte një nga lojtarët më të aktivizuar në ekip.

Ngo – Majkëll Ngo mund të sakrifikohet, për të mos thënë, që do të mungojë në fushën e lojës. Mësohet se trajneri Ze Maria do të luajë me të njëjtët lojtarë të cilët luajti në ndeshjen me Shënkollin dhe gjiganti anglez nuk do të jetë titullar. Edhe pse nuk ka asgjë zyrtare, mësohet se anglezi nuk do të luajë për shkak të veprimit në Fier, ndonëse mund të përdoret fakti që ai mund të qëndrojë sërish pushim për të rikuperuar forcat. Anglezi nuk preferohet shumë nga Ze Maria dhe stafi i tij, që në sulm kanë zgjedhur Sentamun si të paprekshëm këto kohë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *