Zemrën ndaj Luftëtarit, paratë në… Vlorë

0

Tirana e ka të detyruar të fitojë të shtunën me Luftëtarin dhe ekipi do të vërë zemrën në fushë për t’ia arritur qëllimit. Nuk diskutohet që ka presion para kësaj ndeshjeje, pasi realisht mbijetesa në Superiore është vënë në diskutim. Aktualisht bardheblutë kanë 35 pikë në tabelën e klasifikimit dhe renditen në vendin e parafundit, por veç asaj që duhet të bëjnë vetë në fushë, presin edhe ndonjë hap fals të rivalëve. Laçi e Flamurtari janë më të afërtit, por vetëm me kurbinasit ata kanë përparësi për shkak të golavarazhit, pasi në ndeshjet direkte të dyja skuadrat kanë mundur të shkëputin nga një fitore dhe një barazim. Shtatë pikët që ka marrë Laçi në tre javët e fundit dhe humbja e bardhebluve në Korçë e ka bërë situatën shumë të vështirë dhe vetëm dy fitoret e shpëtojnë Tiranën. Të parën duhet ta marrin ndaj Luftëtarit të shtunën, ndërsa në Shkodër u duhet një pikë, aq sa i duhen edhe Vllaznisë për të shpëtuar, por duhet që Laçi të humbasë në Vlorë.

PREMIO – Gjithçka po bëhet haptazi tashmë, teksa premiot ndaj të tretëve janë një normalitet dhe një mundësi motivimi dyfish për shumë ekipe. Në Shkodër flitet se për të ndalur Partizanin është paguar, madje ajo premio u ka sjellë edhe tatëpjetën kuqebluve prej mënyrës se si është shpërndarë. Por së fundmi ka edhe fjalë të tjera, sipas të cilave Tirana ka dhënë 15 milionë lekë që Vllaznia të ndalte Laçin, por kurbinasit arritën të shënonin tre gola në portën e Selimajt dhe në këtë mënyrë u mërzitën si në kryeqytet edhe në Shkodër. Një tentativë boshe, por e sigurt është që te 24-herë kampionët e vendit nuk do të ndalen këtu.

TENTATIVA E RADHËS – Zhvendosja e premios nga Tirana në Vlorë nuk ndodh për herë të parë. Presidenti Halili u premtoi futbollistëve të tij 40 milionë lekë nëse fitonin derbin, por kjo nuk u arrit. Më pas ajo premio iu premtua lojtarëve për fitore në Vlorë. As ndaj Flamurtarit bardheblutë nuk mundën të marrin pikë, ndërkohë që tanimë Tirana mendon të nxitë kuqezinjtë me të njëjtën premio që tentoi me Vllazninë ditë më parë. 15 milionë nuk janë shumë, por kur vlonjatëve fitorja do u jepte shanse për Europën, është një motiv edhe më i madh, shto këtu edhe faktin që nga ana tjetër Tirana vetë do tentojë t’u mundë Luftëtarin. Në radhë të parë e bën për vete, por do ishte edhe një asist për Flamurtarin, që javën e fundit luan me Korabin, ndërsa gjirokastritët i pret një sfidë e vështirë me Kukësin në shtëpi. Skenarët dhe llogaritë janë të shumta, por vetëm në fund do shihet se kush do jetë më i zoti, në fushë dhe jashtë saj, pasi tashmë po luhet kudo.

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here


CAPTCHA Image
Reload Image