Ze Maria: Uroj që sot të fitojë Interi. Te Tirana, jo thjesht për paratë

Trajneri brazilian flet për të shkuarën e vet zikaltër dhe për Derbin e Italisë sot në mbrëmje. Gjithashtu, në fokus karriera e tij si trajner: Po të shija vetëm të ardhurat, do ikja në Kinë

Në prag të Inter-Juve, një sfidë historikisht shumë e luftuar brenda e jashtë fushës së blertë, në Itali shpesh kujtohen vitet e arta të futbollit italian, ato ’90 deri te famëkeqi Calciopoli, që fundosi gjithçka dhe pasojat po shihen qartë në dekadën e fundit. “fcinterneës.it” ka intervistuar një protagonist të Interit në fillim të këtij shekulli, Ze Marinë, i cili ka luajtur në periudhën 2004-2006 për zikaltrit, ka fituar titullin 2006 në tavolinë, dy Kupa Italie dhe një Superkupë. Tashmë një trajner që po fiton eksperiencë ku të mundet, nga Rumania, deri në Afrikë e tani në Shqipëri, Ze Maria flet për të shkuarën, të tashmen dhe të ardhmen.

NGJITJA NË SUPERIORE – “Ka qenë një vit mjaft i qetë, duke parë si shkuan gjërat. Natyrisht, nuk është kurrë e lehtë të fitosh, sidomos për faktin se kundërshtarët jepnin gjithçka përballë një emri të madh si Tirana. U treguam të zotë, duke ruajtur një ritëm të lartë”.

TRAJNERI QË E FRYMËZON – “Para se të nisja karrierën si trajner, kam admiruar nga afër punën e trajnerëve të mëdhenj, si Mançini, Murinjo, Zeman, Ançeloti e Luis Enrike. Në vitin 2010 kam kryer një stazh me Murinjon, është një trajner i jashtëzakonshëm, me një autoritet të paparë dhe shumë i zoti psikologjikisht. Kam mësuar shumë prej tij dhe trajnerëve të tjerë, por natyrisht kur zbret në fushë duhet të tregosh atë që ke në gjak, personalitetin tënd. Deri tani më ka ecur mbarë…”.

KARRIERA E ÇUDITSHME – Të kisha pasur një president serioz në Rumani, gjërat do shkonin ndryshe. ‘Me pak para mund të bësh diçka pozitive në futboll, por jo pa para’, thotë një miku im dhe është e vërtetë. Projekti ishte pak a shumë si ai aktual në Shqipëri, ose si ai në Kenia, por pa marrë pagat gjithçka u bë shumë e vështirë. Meqë ra fjalë, në Kenia kam fituar shumë, titullin në sezonin e dytë dhe suksese sapo mbërrita. Këtë vit me Tiranë fituam Superkupën kundër kampionëve të Shqipërisë, si dhe u ngjitëm në Superiore. Më pëlqejnë sfidat, nuk stërvit për para, përndryshe do kisha ikur në Kinë. Oferta nga Italia? Ende nuk më ka ardhur ndonjë, por jam i sigurt që do ia dal mbanë. Vitin e ardhshëm ndoshta do jem sërish te Tirana, por objektivi im i ardhshëm është që në pak kohë të bëhem trajneri i një skuadre që të luajë në Europa League ose Champions”.

INTERI – “Epoka e Moratit ishte e karakterizuar nga kampionët e mëdhenj. Para se të shkoja tek Interi, kjo skuadër kishte fituar më pak nga sa meritonte dhe kishte mundësi. Mbërrita 32 vjeç, paksa vonë, por fituam 3 trofe, ishte fillimi i një Interi fitues që e pati kulmin te Tripleta. Për mua ka qenë një periudhë e rëndësishme, është diçka që e mbaj gjithnjë brenda meje. Ishim një grup i bashkuar, çdo lojtar kishte personalitet të fortë, mentalitet i jashtëzakonshëm, për fitore në çdo ndeshje”.

SKUADRA MË E FORTË – “Interi im i asaj kohe ishte skuadër shumë e mirë, aty-aty me Parmën, me të cilën i shkuam pranë titullit. Ishin Bufon, Turam, Kanavaro, Benarrivo, Sensini, Krespo e shumë të tjerë”.

TITULLI NË TAVOLINË – “Në vitin 2006 e fituam titullin në tavolinë, por mua më pëlqejnë gjërat e qarta. Kur ndodhin episode të errëta, ku kërkohen të manipulohen rezultatet, besoj se duhet ndërhyrë dhe skuadra që manipulon duhet ndëshkuar. Këtë nuk e them unë, por drejtësia sportive italiane, që ka konfirmuar gjithçka dhe titulli i kaloi Interit. Unë e konsideroj titullin tim, ne luanim në fushë dhe mundoheshim të fitonim, ndërsa më pas pamë që nuk ishte ashtu realiteti dhe rezultati vendosej edhe jashtë fushe”.

INTER-JUVE – “Do të jetë një ndeshje e vështirë për Interin, që kërkon kualifikimin në Champions. Edhe për Juven do jetë e vështirë, sepse nuk i lejohet as barazimi. Shpresoj të jetë një ndeshje e hapur dhe natyrisht bëj tifozllëk për Interin. Ka një të shkuar të lavdishme dhe duhet të kthehet sa më shpejt në Europën që ia vlen”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *