Ze Maria, ultimatum klubit për një qendërmbrojtës

Trajneri i kërkon klubit të gjejë lojtarë për prapavijën, pasi ata që ka nuk mjaftojnë për sezonin e ri në Kategorinë e Parë

Olsi Avdiaj
Tirana është në kërkim të një qendërmbrojtësi. Largimet e Olsi Teqjas, dëmtimi i Gentjan Muçës dhe një largim i mundshëm i David Domgjonit kanë bërë që trajneri Ze Maria të kërkojë me urgjencë futbollistë në repartin e mbrojtjes. Aktualisht, braziliani ka vetëm tre mbrojtës qendrorë. Bëhet fjalë për Marvin Turtullin, Uellisonin dhe Klisman Caken, të cilët kanë luajtur me ekipin e parë. Është afruar edhe i riu Zhivanaj, por Ze Maria nuk bindet, që të përballojë një sezon të tërë me këta lojtarë. Kërkon të paktën edhe një qendërmbrojtës që ta ketë në organikë. Ai ka kërkuar një lojtar në këtë repart, në mënyrë ultimative, duke u bërë të qartë drejtuesve të skuadrës, që futbollisti duhet të jetë brenda javës së ardhshme në kryeqytet. Sipas tij, skuadra është në një gjendje jo të mirë në qendër të mbrojtjes, pasi Gentjan Muça ende nuk ka nisur stërvitjen. Menjëherë, klubi ka nisur tratativat me disa lojtarë të Superiores dhe nga jashtë Shqipërisë, por akoma nuk ka asgjë zyrtare, përsa i përket afrimeve. Flitet sërish për ardhjen e një braziliani. Ka fjalë edhe për afrikanë, që do të pushtojnë “Selman Stërmasin”, por asgjë nuk është zyrtare. Shkurt, Ze Maria kërkon qendërmbrojtësin, sepse sipas tij, vetëm kështu mund të jetë i qetë gjatë kampionatit. Trajneri ka bërë me dije se afrimi i një qendërmbrojtësi është minimumi që klubi mund të bëjë, sepse dy ose më shumë futbollistë në këtë repart do të ishin luks për skuadrën. Aktualisht, Tirana pas Europës ka afruar vetëm lojtarë të kampionatit shqiptar, si Prendin e ndonjë tjetër. Në provë është edhe një italian, ndërkohë që thuhet se ka firmosur Eder Paulista nga Brazili. Para Europës firmosën, Junus Sentamu dhe Uellison. Por këto nuk do të jenë afrimet e vetme. Ze Maria para dhe pas ndeshjes së dytë me Makabin në Europë ishte i qartë. “Patjetër që na duhen dy mbrojtës të tjerë, dy mesfushorë të tjerë dhe dy sulmues në skuadër, pasi unë kam nevojë për alternativa. 80% e kësaj skuadre është me lojtarë nga 17-20 vjeç, ndaj na duhen lojtarë me eksperiencë për të luajtur në Kategorinë e Parë. Presidenti dhe klubi e dinë se çfarë kemi nevojë”, tha Ze Maria, duke thënë hapur edhe dëshirat që ka për merkaton e verës. Aktualisht, klubi nuk është se i ka plotësuar dëshirat brazilianit, por në vazhdim pritet që gjithçka të jetë në perfeksion, pra Ze Maria të shpërblehet me gjashtë lojtarë, shumica të huaj. Për më tepër që koha nuk pret…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *