Ze Maria: S’kam frikë askënd, jo më Apoloninë

Trajneri i Tiranës, para sfidës me fierakët foli edhe për dëmtimet, Majkëll Ngonë e gjithë problemet e tjera

Para ndeshjes së sotme, trajneri i Tiranës, Ze Maria ka dalë para gazetarëve. Pas një mungese të gjatë, braziliani ka shpjeguar të gjitha problematikat për sfidën e sotme me fierakët. Trajneri i Tiranës, foli edhe për dëmtimet, Majkëll Ngonë e gjithë problemet e tjera. Ja intervista e plotë me trajnerin e Tiranës.

-Keni barazuar në Fier para disa javësh, kjo skuadër, mund t’ju vërë në vështirësi në këtë takim?

Jam këtu pas shumë kohësh për të folur për ndeshjen e radhës dhe për momentin deçiziv të Tiranës. Do të luajmë përballë një skuadre, të cilën e kemi përballuar dy herë, duke marrë katër pikë. Në sfidën që barazuam, nuk luajtëm fare mirë dhe na duhet t’i fitojmë ato pikë. Është një ndeshje e rëndësishme dhe do ta luajnë ata lojtarë, të cilët kanë më pak minuta se të tjerat, por fatkeqësisht në një fushë, që ka një gjendje të tmerrshme. Ata që mbrohen, e kanë bonus, ndërsa ne që duam të fitojmë do ta kemi problem. Jemi një ekip teknik, që e luajmë topin “përdhe”, po duhet t’ia dalim. Jemi të përgatitur edhe për këtë problem. Apolonia, së bashku me Bylisin e Tomorin janë tre skuadrat që na kanë hapur shumë punë. Shpresoj që ata ta luajnë ndeshjen dhe të bëjnë detyrën e tyre. Ne, duhet të bëjmë tonën, e të mos shohim se çfarë do të bëjnë të tjerët. Detyra jonë është marrja e tri pikëve, që janë thelbësore për rrugëtimin tonë drejt Superiores.

-Jeni komodë me avantazhin që keni?

Kemi katër pikë avantazh dhe duhet të luajmë dy herë me skuadrën e vendit të dytë. Nuk janë asgjë nëse bëjmë llogaritë. Duhet të fitojmë sot dhe më pas të shkojmë të sfidojmë Bylisin në shtëpi. Për ne, fitorja me Bylisin javën e ardhshme është vendimtare, por kjo varet nga çfarë do të bëjmë ne dhe ata në fundjavë. Por hap pas hapi. Të fitojmë me Apoloninë dhe më pas të mendojmë për Bylisin. Do të kemi 10 ditë kohë për të menduar.

-Ngo nuk do të luajë…

Fatkeqësisht u dëmtua në stërvitjen e së hënës. Do të shohim analizat e mjekëve, por është dëmtim në menisk. Nuk është menisk nga ai i vështiri, por 10 ditë i duhen për t’u riaftësuar. Nuk është aq rëndë sa e mendonim. Duhet të flas me mjekun dhe të marr vendimin përfundimtar.

-Një problem shumë i madh. Do të ndihet mungesa e tij?

Është lojtar i rëndësishëm, pasi ka shënuar disa gola këto kohë, dhe ka zgjidhur disa ndeshje. Më vjen keq që u dëmtua, pasi skuadrës i ka dhënë jo pak. Skuadra ishte mësuar me Majkëllin e anasjelltas. Për më tepër, dëmtimi erdhi në këtë moment shumë të rëndësishëm të sezonit si për të dhe skuadrën. Por nëse nuk është Majkëlli do të luajnë të tjerë që janë gati. Kanë karakteristika të ndryshme nga anglezi, por të tjerët do të mundohen të bëjnë më të mirën.

-Keni frikë nga dëmtimet dhe mungesat e skuadrës?

Nëse dikush ka frikë, nuk mund të luajë futboll. Nëse ti luan para 5000 tifozësh e ke frikë, je askush. Nëse ti shkon në Uembli dhe ke frikë është e njëjta situatë. Nëse ke frikë, nuk del dot nga tuneli. Frikë nuk kam, por më vjen keq për këta djem, që nuk luajnë. Për Sentamun kam fjalë të mira, por ai është në kombëtare. E meritonte pas shumë kohësh pushim nj grumbullim me Ugandën. Lika na ka shpëtuar disa herë këtë sezon. Është personalitet, lider brenda e jashtë fushës. Edhe për Ngonë fola. Kam 24 lojtarë të grumbulluar dhe ata mund të luajnë në çdo moment.  

-Pas ndeshjes me Tomorin, trajneri i kësaj skuadre ka akuzuar për gjykim të njëanshëm

Po nëse ankohem unë për arbitrat si i bëhet? Nuk është në karakterin tim të ankohem. Edhe arbitri gabon si çdo njeri. E bëri në ndeshjen me Tomorin, sipas pikëvështrimit të trajnerit tjetër, por edhe sipas mendimit tim. Ndoshta, duhet si në Itali të përdorim “Var”-in. Pranohen edhe tani gabime të paqëllimshme, në të kundërt është problem.

-Një mendim për sulmin ndaj Memellit?

Është diçka shumë e rëndë dhe më erdhi keq. Është diçka e paimagjinueshme dhe e paperceptueshme. Nëse një trajner, sidomos te Akademia, punon të rrisë djemtë në çdo drejtim. Djali për më tepër ishte kapiteni dhe nëse nuk luajti një miqësore, nuk ishte fundi i Botës. Problemi është te prindërit, të cilët mendojnë se kanë fenomenë në shtëpi. E nëse ishin apo janë të tillë, mund të luanin e luajnë te Barcelona, Bajernin, duke respektuar në maksimum Tiranën. Unë them se ata në çdo rast duhet të respektojnë trajnerin e akademisë, klubin, që i përgatit. Dhe më pas trajneri i parë i skuadrës, i cili do të zgjedhë më të mirët. Unë kam aktivizuar më shumë të rinj se çdo kush tjetër në ekipin e parë. Presidentit në një mbledhje që bëmë në këtë sallë i thashë: Prindërit duhet të qëndrojnë larg fushës. Të sjellin djemtë në akademi dhe të ikin në shtëpi, dhe jo të qëndrojnë në kafe apo tribunë për të bërë analizën se si punon trajneri. I aktivizon apo jo, çfarë stërvitje bën misteri e me radhë, apo kritikojnë trajnerin. Kjo nuk është puna e prindërit. E prindërit është një punë e vështirë, ajo e të edukuarit. Trajnerët vetëm mund të mësojnë, ndërsa fëmijët duhet të respektojnë trajnerin. Nëse djali im më thotë se “dua të bëhem futbollist”, i them: “shko studio, sepse nuk bëhesh dot lojtar”. Problemi më i madh i prindërve ky është. Duan të bëjnë fëmijët futbollistë me zor. Dhe kjo është një sëmundje ndërkombëtare. Madje, ndonjëherë fëmijët as nuk duan të bëhen futbollistë, por ndihen të detyruar nga prindërit. Episodi është i papranueshëm. Memelli i përgatit këta djem, të cilët duhet të jenë gati për ekipin e parë. Djali është halli im, në momentin, që trajneri i moshave ma sjell deri “te dera e skuadrës së parë”.

-Një mendim për mikun tuaj Panuçi?

Rezultati nuk ishte i mirë. Vajta e pashë ndeshjen dhe Shqipëria nuk luajti mirë. U përball me Norvegjinë, që luante futboll të bukur. Kristiani është në ndeshjet e para dhe po krijon një sistem loje, sipas modelit të tij, që do t’i japë kombëtares rezultat. Dhe faktikisht atë rezultat e presin të gjithë, ndonëse shumëkush mund të bëjë gabimin që ta krahasojë me De Biazin. Ai ndryshon nga trajneri i mëparshëm, duke filluar nga puna dhe mënyra sesi punon. Duhet pritur puna e Kristianit, duke e lënë të drejtojë një skuadër me qetësi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *