Ze Maria: Rinovimi nuk varet nga paratë, më pëlqejnë disa lojtarë të Kukësit

0


Trajneri i Tiranës: “Kam ekip të denjë për Superiore. Kategoria e Parë, e vështirë. Kukësi ka lojtarë shumë të mirë. Halili nuk ka ndërhyrë asnjëherë”.

Trajneri i Tiranës, Ze Maria, ishte i ftuar dje në emisionin “Rubrika Sportive” në “RTSH”, ku foli në lidhje me performancën e Tiranës, me “sigurimin” e kalimit të bardhebluve në Superiore dhe shumë tema të tjera, duke përfshirë ndeshjet e Superiores shqiptare, aty ku Tirana do të kthehet sezonin e ardhshëm. Braziliani e nis me buzëqeshje, pasi e nis duke folur për gjuhën shqipe, që nuk e flet ende. “Besoj se një trajner duhet të komunikojë me lojtarët në gjuhën e tyre. Sot sapo erdha nga një kurs i gjuhës shqipe. Kam mësuar ca gjëra të vogla”.

– Si iu duk Flamurtari-Skënderbeu?

– Shikoj skuadrat që janë të përgatitura. Nuk është e lehtë t’i mbash lojtarët e karikuar dhe të fitosh kundër një ekipi që fitoi në Kupë, para pak ditësh. Kjo është forca e grupit dhe grinta e ekipit. Skënderbeu është i ndërgjegjshëm për forcën e tij dhe kur do i fiton ndeshjet”.

– Flamurtari në krizë, një mendim për këtë situatë?

– E ndërlikuar, duhet parë nëse ka ndonjë diskutim ndërmjet lojtarëve dhe stafit. Ka shumë gjëra që sjellin situata të tilla. Duket e pabesueshme se si një ekip që luftonte për titullin kampion dhe Kupën të mos fitojë prej kaq shumë kohë. Trajneri thotë që nuk e di se ku është problemi. Ndonjëherë duhet që lojtarët të zgjidhin problemet mes tyre, pasi ndonjëherë nuk e di as trajneri, por grupi”.

– Si e komentoni dënimin e Skënderbeut nga UEFA?

Çështje shumë e fortë. Nuk është rasti i parë në Evropë. UEFA është shumë e drejtë në këto raste. Erdhi në një moment të keq për Skënderbeun, pasi u paraqit shumë mirë në Evropë. Ekipin e ka të mirë, trajnerin po ashtu dhe mund të bënte mirë këtë sezon, por tashmë nuk mund të marrë pjesë për shkak të problemeve të mëparshme. E rëndë për vendin dhe futbollin shqiptar”.

– Kukësin e keni hasur disa herë këtë sezon.

– Kukësi ka lojtarë shumë të mirë. Më pëlqejnë disa lojtarë të Kukësit, kam folur me presidentin. Ka lojtarë të një niveli të lartë në çdo pozicion. Ata kanë futbollistë që bëjnë keq në çdo kohë dhe këtë e bënë dhe në ndeshjen kundër Kamzës. Fituan me 1 apo 2 raste. Ky është futbolli modern, ku fiton me pak shanse. Skuadra verilindore është shumë e organizuar.  

– Partizani, që ka bërë kthesë?

– Kam parë shumë ndeshje të tyre, pasi banoj afër stadiumit. Kur nuk luajmë ne, luajnë ata. Na kanë prishur fushën dhe gjithmonë e kemi të vështirë të luajmë. Janë shumë të fortë fizikisht dhe kanë shumë dëshirë. Nuk e nisën mirë me Julianon, patën vështirësi në fillim, por po e marrin veten. Po luajnë mirë nga krahët dhe ndihmuan sulmuesit kryesor. Ata gjetën mundësi të tjera dhe tashmë po marrin rezultate.
– Ka ekzistuar një ide për një derbi miqësor.

Derbi është e vështirë të quhet miqësore. Nuk mund ta organizojmë tani, por të shpresojë vitin e ardhshëm. E rëndësishme është të marrim 3 pikët. Vjet nuk kemi fituar, ndërsa shpresojmë që këtë vit të thyejmë rekordin negativ të derbit.

– Një vit mungesë, por duket se Tirana u kthye në Superiore.

Duhen dhe 3 pikë për t’u ngjitur në Superiore. Kemi filluar të përgatitemi për ndeshjen e radhës. U kërkova djemve seriozitet maksimal para ndeshjes të së shtunës, pasi duam të kapim Superiorjen që në këtë sfidë.

– A i arritët objektivat e vendosur?

– E filluam vitin me 3 objektiva. Ishin Superkupa, kampionati dhe Kupa. Nga Kupa dolëm për shkak të një shtylle dhe një gabimi në fund. Kemi luajtur 65 minuta me një lojtar më pak. Mendoj se skuadra ka plotësuar 2 objektivat kryesorë.

– Si ishte Kategoria e Parë?

– E vështirë. Tirana duhet të fitojë, por kur je Tirana, në kushte të tilla të gjitha mobilizohen kundër nesh. Ekipet e tjera na krijuan vështirësi, por gjithçka varet nga sjellja jonë. Nëse ne ecim në ritmin maksimal gjërat shkojnë në rrugën e duhur.

– Ekziston një problem me tifozët, prej shumë kohësh.

– Përpara se të vija dëgjoja se tifozët e Tiranës ishin më të nxehtit e Superiores. Fatkeqësisht nuk e pata këtë kënaqësi dhe më ka ardhur shumë keq për këtë. Doja të shihja tifozët që na ndihmon të fitonim dhe ne të luanim jo vetëm për vete, por dhe për tifozët. Fatkeqësisht i kam parë pak herë në stadium, shpresoj të jenë vitin tjetër.

– Ku do të renditej Tirana këtë sezon, nëse luante në Superiore me këtë kontingjent?

– Nuk e di ku do të renditeshim. Mendoj se mund të bënim një figurë të mirë në Superiore. Nuk e di a do të luftonim për kampionatin, por do t’i bezdisnim të gjitha ekipet e tjera. Këtë e them për atë çfarë kam parë nga këto dy kategori.

– Rinovimi juaj, ende pezull.

– Kushti im janë objektivat. Çfarë do të bëjë Tirana? Tirana duhet të luftojë për të fituar gjithçka duhet të ketë një organikë që të luajë dhe të përballet me këdo. Tirana nuk duhet të luajë vetëm për të qëndruar në Kategori. Tifozët nuk e meritojnë. Presidenti i di mirë kërkesat e mia. Ndonjëherë nuk fitohet vetëm në fushë, por duhet një organizim komplet për të luajtur futboll të mirë. Jemi në negociata, nuk ka firmë ende. Nuk janë paratë problemi kryesor, por disa gjëra të tjera.

– Raporti me Halilin, a ka ndërhyrë në punën tuaj?

– Presidenti nuk ka ndikuar fare te unë, gati zero. Ia kam bërë të qartë. Nuk kam ardhur këtu për të trajnuar djalin e tij. Ai ka luajtur se është stërvitur mirë, jo se quhet Halili. Kam folur me të, i kam thënë se nëse sillesh mirë dhe ndjek rregullat do të luash. Kjo është mënyra ime e punës. Kam qenë i qartë duke i parë njerëzit në sy. Nuk është vetëm emri që ke në shpinë, është skema që ke përpara që duhet respektuar.

– A jeni i informuar mbi problemet e Tiranës këto vitet e fundit?
– Nuk e di se çfarë ka ndodhur në vitet e mëparshme. Di që vetëm vitin e kaluar ka shkuar shumë keq, nga një skuadër që ishte në vendin e 3-të ra nga Kategoria. Kur erdha unë, kam bërë një diskutim me presidentin dhe kapitenin dhe nuk mendoj se ka dalë ndonjë problem nga skuadra. Do ta zgjidhim çdo problem brenda dhomave tona të zhveshjes. Në asnjë moment lojtarët e mi nuk kanë reshtur së luftuari, dhe kur kanë qenë të lodhur. Nuk kemi lënë kurrë hapësira, pasi e dinim se nëse i jep një mundësi të dytë gjarprit të kafshon”.

– Si u kalua ngërçi i rënies nga kategoria?

– Herën e parë që jam ulur në Tiranë më pyetën për aspektin psikologjik. Unë u dhashë shembullin e Juventusit që ranë nga Kategoria dhe lojtarët dhe drejtuesit u bashkuan. U kthyen në Seria A dhe pas 3 vitesh fituan titullin kampion. Historia e Tiranës është shumë e madhe dhe duhet respektuar. Kur të jesh në fushë duhet të kuptosh se përfaqëson këtë fanellë dhe duhet të bësh maksimumin. Nuk ishte e lehtë, pasi tifozët kishin probleme me presidentin. Fola shumë me skuadrën dhe me këtë mënyra eca përpara. Vetë skuadra duhej të kthehej në Superiore, ata kishin përgjegjësinë e rënies dhe duhej të kthenin nderin aty ku duhej. E dija se duhej t’u jepja besim Karabecit dhe Likës, dhe së bashku me disa lojtarë të tjerë të rinj dhe të krijonim grupin dhe rikthenim besimin. Ne kishim objektiv që të ktheheshim në Superiore dhe të garojmë me ekipet e Superiores”.

– Këtë sezon Tirana ka evidentuar edhe disa talente.

– Nuk marr merita. Them se u dhashë atyre mundësi. Shkoj të shoh ndeshjet e 17-vjeçarëve dhe 19-vjeçarëve, apo ekipit të dytë. Shoh si stërviten ata dhe si sillen trajnerët e tyre. Puna e Akademisë del në pah kur i marr unë futbollistët e tyre.

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.